Lidhje

Papa Françesku mes refugjatëve në Lesbos


Papa Françesku ka sjellë 12 refugjatë sirianë në Romë, pas një vizite në ishullin grek të Lesbosit.

Selia e Shenjtë konfirmoi sot se tre familje myslimane, ku përfshihen gjashtë fëmijë, do të strehohen në Vatikan. Emrat e refugjatëve u zgjodhën me short këtë javë.

Akti i Papës vjen ndërkohë që Bashkimi Evropian dhe Turqia kanë nënshkruar një marrëveshje të kritikuar nga shumë aktorë, për të deportuar refugjatët.

Para se të largohej nga Lesbosi, Papa së bashku me Patriarkun Bartolomeu dhe Arqipeshkvin e Athinës Ieronymos II, nënshkruan një deklaratë ku i kërkonin komunitetit ndërkombëtar që t’i trajtojnë jetët e imigrantëve si përparësi dhe të zgjasin azilin e përkohëshëm për personat në nevojë.

Tre klerikët e lartë mbajtën një minutë heshtje para qindra vetëve në Lesbos, para se të hidhnin kurora me lule në det, në kujtim të atyre që janë mbytur gjatë rrugës për në Evropë.

Më parë, Papa vizitoi një kamp për refugjatët në Lesbos.

Fëmijë e të rritur vajtonin në kompleksin e strehimit, duke iu drejtuar Atit të Shenjtë me fjalë përgjërimi pasi udhëtimi i tyre i gjatë drejt Evropës Perëndimore u ndërpre, kur u bllokua rruga e kalimit nga Greqia drejt veriut.

Disa fëmijë i dhuruan Papës punime arti që kishin bërë në kamp. Ati i Shenjtë ia kaloi një prej ndihmësve të tij një vizitatim të një fëmije me fjalët: “Mos e palos, se do ta vë në tavolinën e punës”.

XS
SM
MD
LG