Lidhje

Papa bën thirrje për strehimin e emigrantëve


Në një mesazh të veçantë sot, Papa Françesku, i cili është vetë nip emigrantësh italianë në Argjentinë, kritikoi indirekt ndërtimin e një rrethimi kufitar në Hungari.

Në një letër të drejtuar shoqatës së kishave që po takohet në Shqipëri, Papa Françesku citohet të thotë se “është dhunë ndërtimi i mureve dhe pengesave për të ndaluar njerëzit që janë në kërkim të një vendi në paqe. Është dhunë të zmbrapsësh ata që po largohen prej kushteve çnjerëzore me shpresën për një të ardhme më të mirë”.

Gjatë fjalimit të tij në sheshin Shën Pjetër, Papa bëri thirrje që të gjitha faltoret, manastiret dhe komunitetet katolike, të marrin nga një familje refugjatësh. Vatikani njoftohet se do të marrë dy familje refugjatësh në dy faltoret e tij, ndërkohë që në të gjithë Italinë numërohen mbi 25 mijë faltore, dhe në Gjermani mbi 12 mijë të tilla.

Sipas agjensisë së lajmeve Associated Press, Papa përmendi si shembull frymëzues Nënë Terezën, murgeshën me origjinë shqiptare që u njoh në mbarë botën për kujdesin e devotshëm për shtresat më të varfëra të popullsisë në Indi.

XS
SM
MD
LG