Lidhje

Vazhdojnë përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe Presidenti i Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas po takohen në Paris në kuadër të përpjekjeve të administratës amerikane për të përgatitur kornizën e një marrëveshjeje të mundshme për paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Zyrtarët amerikanë thonë se Sekretari i Shtetit John Kerry dhe Presidenti palestinez Mahmoud Abbas po takohen në një moment të rëndësishëm në negociatat për zgjidhjen me ekzistencën e dy shteteve të konfliktit izraelito-palestinez. Takimi zhvillohet gjithashtu ndërkohë që Sekretari Kerry po përpiqet të ngushtojë mospajtimet lidhur me çështjen e kufijve të shtetit palestinez dhe statusin e Jeruzalemit lindor, të cilin palestinezët e kërkojnë si kryeqytet të shtetit të ardhshëm.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka vënë në pikëpyetje seriozitetin e udhëheqësve palestinezë në një kohë kur ka përçarje edhe brenda koalicionit të tij qeverisës. Ish-ambasadori amerikan Philip Wilcox thotë se këto zhvillime e bëjnë të vështirë gjetjen e një zgjidhjeje me ekzistencën e dy shteteve:

"Vendet vendosin paqe kur besojnë se paqja është në interesin e përbashkët. Nuk jam i bindur se koalicioni aktual izraelit nën Netanyahun beson se ekziston një interes i përbashkët me palestinezët për vendosjen e paqes”.

Kryeministri Netanyahu nuk ka shumë interes të bëjë kompromis, thotë profesoresha e Universitetit Amerikan Hillary Mann Leverett; ai po ndjek politikën “Kështjella izraelite”, thotë pedagogia”.

"Nuk ka interes për gjetjen e një zgjidhjeje që do t’u jepte diçka palestinezëve. Interesi është tek vazhdimi i ndërtimit të “Kështjellës izraelite”. Një ndër shtysat për këtë politikë është ekzistenca e kërcënimeve nga Irani apo palestinezët”.

Presidenti Abbas ndeshet me kundërshtime të brendshme kundër një marrëveshje paqeje me izraelitët në negociata që duket se po organizohen jo aq shumë për arritjen e kompromisit, por për të siguruar mbështetjen e Uashingtonit, thotë drejtori i kërkimeve shkencore në Fondacionin për Lindjen e Mesme Geoffrey Aronson.

"Nga jashtë duket një kontrast i qartë për faktin se gjatë nëntë muajve të fundit diskutimet janë zhvilluar kryesisht në formatin dypalësh në dialog mes izraelitëve apo palestinezëve dhe Uashingtonit, dhe jo mes vetë palëve në konflikt”.

Gjatë qëndrimit dje në Paris, zoti Kerry diskutoi procesin e paqes në Lindjen e Mesme edhe me Ministrin e Jashtëm jordanez Nasser Judeh, i cili tha se “të gjitha çështjet që lidhen me statusin përfundimtar janë në thelb të interesave jordaneze.
XS
SM
MD
LG