Lidhje

Paris, drejt marrëveshjes klimatike


Zyrtarë nga 195 vende që po marrin pjesë në Konferencën e OKB-së mbi Ndryshimet Klimatike në Paris janë duke përparuar drejt arritjes së një marrëveshjeje, pas miratimit të një projekt-marrëveshjeje dje.

Dje zyrtarët uronin njëri tjetrin pas njoftimit për arritjen e një projekt-marrëveshjeje, që u bë e mundur pas katër vjet negociatash.

Marrëveshja ka për qëllim t’u ofrojë vendeve mundësitë për të pakësuar çlirimin e gazeve të efektit serrë që ndikojnë në ndryshimin e klimës.

"Sigurisht që ka mosmarrëveshje në formulimin e pjesëve të marrëveshjes, por në fund të kësaj konference ne duhet t’i japim një përgjigje pyetjes së tretë dhe të fundit dhe të themi: po ne do të ndryshojmë", tha ish-nënpresident amerikan, Al Gore.

Kritikët thonë se shumë çështje të pazgjidhura pritet të trajtohen para mbarimit të konferencës të premten, duke përfshirë edhe çështjen se kush duhet ta mbajë barrën financiare për politikat e reja.

Por disa vëzhguesë sugjerojnë se çështja financiare nuk do të ketë rëndësi, nëse zyrtarët nuk përfitojnë nga mundësia për arritjen e një marrëveshjeje.

"Diçka do të ndodhë këtu dhe unë mendoj se të gjithë e kuptojnë se në qoftë se nuk arrihet një marrëveshje në përfundim të kësaj konference, ne mund të mos kemi një tjetër shans për arritjen e një marrëveshjeje",thotë aktori dhe aktivisti Robert Redford

Shkencëtarët kanë paralajmëruar se ndërkohë që Toka vazhdon të ngrohet, planeti do të bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm për jetën e njeriut, duke patur rritje të nivelit të detit, stuhi shkatërruese dhe thatësira të mëdha.

XS
SM
MD
LG