Lidhje

Trump: Siguria në shkolla, përparësi për administratën


Presidenti Trump tha se siguria e shkollave do të jetë përparësi kryesore e administratës së tij. Presidenti i bëri këto komente në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, para pak çastesh, duke reaguar ndaj sulmit të djeshëm në një shkollë të mesme në Florida, ku gjetën vdekjen 17 vetë dhe u plagosën shumë të tjerë. 19-vjeçari Nikolas Cruz është akuzuar nga autoritetet për 17 vrasje me paramendim lidhur me incidentin.

"Muajin tjetër do të kemi takimin me guvernatorët dhe siguria nëpër shkolla do të jetë përparësia kryesore e administratës," tha presidenti. "Asnjë nxënës ose mësues, tha presidenti nuk duhet të ndihet i rrezikuar në shkollë. Ne të gjithë," tha presidenti, "duhet të punojmë për të ndryshuar kulturën, për të përqafuar dinjitetin e jetës që krijon marrëdhënie njerëzore të thella e të shëndetshme.

Presidenti theksoi se administrata e tij do të punojë për të trajtuar çështjen e sëmundjeve mendore dhe bëri thirrje për shërimin e plagëve të shkaktuara nga masakra e djeshme dhe për paqe. Ai tha se do të shkojë në Florida në ditët e ardhshme për t’u takuar me familjet e viktimave dhe ma autoritetet.

Autoritetet në Florida kanë ngritur akuza për vrasje me paramendim ndaj 19-vjeçarit Nikolas Cruz lidhur me masakrën në shkollën e mesme Marjorie Stoneman Douglas.

Të enjten pasdite Cruz doli para gjykatëses që lexoi aktpadinë dhe e informoi se nuk do t'i ofronte mundësinë për t'u ndjekur në gjendje të lirë, pritet fillimi i procesit gjyqësor.

I pandehuri u arrestua jashtë perimetrit të shkollës, pa bërë rezistencë. Scott Israel, sherifi i komunës Broward, tha se Cruz kishte një armë gjysmë-automatike dhe disa karikatorë me vete.

Në mjediset e shkollës dhe përreth po vazhdon grumbullimi i provave. Cruz, i përjashtuar nga shkolla më parë për probleme disiplinore, akuzohet për vrasjen e 17 vetëve, nxënës dhe personel i shkollës, si dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve në një prej incidenteve më të përgjakshme me armë zjarri në Shtetet e Bashkuara.

“Nikolas Cruz ishte vrasësi, e kemi kapur dhe kemi filluar të analizojmë sitet e tij elektronike dhe të medias sociale. Ato që kemi parë janë shumë, shumë shqetësuese," tha Sherifi i komunës Broward.

Para se të shkonte mbrëmë në spital për të parë të plagosurit, guvernatori Rick Scott tha se nuk e imagjinonte dot se çfarë gjurme do të linte kjo ditë në jetët e tyre:

“Njeriu arrin në përfundimin se je përballë mishërimit të ligësisë. Shteti i Floridës nuk e toleron dhunën. Forcat e rendit gjithmonë do të angazhohen për të na mbrojtur”.

Prokurorja e Përgjithshme e Floridës tha se shteti do të paguajë për ceremonitë e varrimit të viktimave dhe për mbështetje psikologjike për familjet.

FBI-ja ka dërguar agjentë në Florida dhe do të marrë drejtimin e hetimeve.

Mbrëmë në Florida

Policia u vu në alarm pas të shtënave brenda shkollës Marjory Stoneman Douglas në Parkland, që ndodhet në një zonë të qetë nënurbane në veriperëndim të qytetit Fort Lauderdale, dhe nisi kërkimin për personin e armatosur, ndërkohë që dhjetra nxënës e mësues qënronin të ngujuar brenda klasave.

12 veta u vranë brenda shkollës ndërsa 3 të tjerë jashtë saj. Dy persona vdiqën në spitalet e zonës.

Të shtënat filluan menjëherë pas mbarimit të mësimit. Policia njoftoi se e kishte arrestuar personin e dyshuar, i cili është identifikuar me emrin Nicolas Cruz.

Zyrtarët thanë se nuk kishin qenë në dijeni të ndonjë kërcënimi që mund të ishte bërë para ngjarjes.

Policia dhe punonjësit e ndërhyrjes së shpejtë rrethuan zonën dhe pamjet televizive tregonin nxënësit që dilnin nga klasat duke u larguar me të shpejtë nga vendi i ngjarjes.

Presidenti Trump dërgoi përmes Twitterit ngushëllimet e tij për familjet e viktimave. "Asnjë fëmijë, mësues apo çdokush tjetër nuk duhet të ndihet kurrë i pasigurtë në një shkollë amerikane," shkruante ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG