Në Shqipëri komisioni parlamentar i Ekonomisë votoi sot unanimisht për shkarkimin e guvernatorit Ardian Fullani, i cili u arrestua javën e shkuar në vijim të hetimeve të skandalit të vjedhjes së afër 7 milion dollarëve. Komisioni mbylli gjithashtu procedurat e shkarkimit edhe për Inspektoren e Përgjithshme Elivar Golemi, gjithashtu e arrestuar. Javën e ardhshme, sic njoftoi kryeministri Edi Rama, do të nisë procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Mbikqyrës të Bankës ku siç tha ai do të ftohen ata që punojnë në sisitemin financiar ndërkombëtar.
Në seancën e së enjtes së ardhshme parlamenti shqiptar pritet të votojë për shkarkimin e guvernatorit të Bankës Qëndrore Ardian Fullani. Kërkesa është bërë nga Këshilli Mbikqyrës, i cili e mori vendimin 24 orë pas arrestimit të tij. Ajo është shqyrtuar sot nga Komisioni parlamentar i Ekonomisë. Kryetari Erion Brace, tha se “Komisioni e ka gjetur në përputhje me ligjin për Bankën e Shqipërisë, propozimin e Këshillit Mbikqyrës së Bankës dhe e ka miratuar në unanimitet shkarkimin e guvernatorit të Bankës”
Po sot Komisioni ka mbyllur nga ana e tij edhe procedurat për shkarkimin e Inspektores së Përgjithshme Elivar Golemi, funksion në varësi të drejtpërdrejtë të Parlamentit. Kishte qenë ky komision që e kishte paraqitur një kërkesë të tillë që para arrestimit të saj. Kërkesës, sipas rregullores, i është bashkangjitur edhe ajo nga ana e të paktën 28 deputetëve. “Jemi mbështetur në nenin 47, pika 2, gërma C e këtij ligji që ka të bëjë me shkelje të rëndë të etikës në punë dhe me cënimin e thellë të interesave të Bankës së Shqipërisë”, shpjegoi zoti Brace.
Pas vendimit përfundimtar nga ana e parlamentit i hapet rrugë edhe plotësimit të katër vendeve vakante në Këshillin Mbikqyrës, dy të mbetur bosh prej kohësh, një që do të zëvendësojë zotin Fullani dhe një tjetër në vend të zotit Ardian Civici, i cili dha dorëheqjen dy ditë më parë. Përmes një postimi në Facebook, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se njoftimi për vendet bosh do të bëhet javën e ardhshme, ndërsa saktësoi se “do të ftohen shqiptarët që punojnë në sistemin financiar ndërkombëtar”.
Për të katër vendet bosh, dy do të propozohen nga parlamenti, një nga qeveria ndërsa i katërti nga vetë Këshilli, pasi ky të jetë plotësuar me 8 anëtarë. Plotësimi më pas i vetë Këshillit, i hap rrugë zgjedhjes së guvernatorit të ri. Presidenti përzgjedh një prej anëtarëve të cilin ja propozon për votim parlamentit.