Parlamenti i Ukrainës votoi krijimin e një qeverie të re, duke vendosur në poste kyçe financiare teknokratë të huaj. Kabineti i ri i Kryeministrit Arseniy Yatsenyuk formohet ndërkohë që trupat qeveritare dhe rebelët pro-rusë njoftuan një tjetër armëpushim në Ukrainën lindore.
Qeveria e re, ka në poste kyçe financiare teknokratë të huaj si pjesë e përpjekjes së Kievit për të ringjallur ekonominë e shkatërruar dhe për t’i dhënë fund rebelimit separatist pranë kufirit me Rusinë.
“Faleminderit që miratuat qeverinë e re në këto kushte të vështira. Kam besim se do të triumfojmë mbi të gjitha sfidat, dhe se do të përmbushim aspiratat e miliona ukrainasve. Kemi një mision dhe përgjegjësi të veçantë historike. Kemi gjithashtu edhe një shans historik për të bërë një Ukrainë të re; ne do ta përqafojmë këtë shans dhe do ta përmbushim këtë detyrë.”
Kabineti i ri i Kryeministrit Arseniy Yatsenyuk mori formë dje, ndërkohë që trupat qeveritare dhe rebelët pro-rusë njoftuan një tjetër armëpushim pas 8 muajsh beteje për kontrollin e Ukrainës lindore.
“Konkluzioni i sotshëm është se ramë dakort për armëpushim që nga ora 6 pasdite dhe madje jemi pranë nënshkrimit të dokumentave drejt përmbushjes së memorandumit të Minskut.”
Megjithëse është hera e dytë brenda muajit që tentohet për armëpushim, pati sërish bombardime jashtë pjesës së kontrolluar nga rebelët e Donetskut.
Ndër ministrat e rinj të qeverisë ka persona që morën nënshtetësinë ukrainase nëpërmjet një dekreti qeveritar, përfshi shtetasen amerikane Natalie Jarenko, ish-anëtare e shërbimit të jashtëm amerikan, e cila do të jetë ministrja e financave.
Qeveria e re ka premtuar të çrrënjosë korrupsionin i cili ishte i gjithëpranishëm nën Viktor Yanukovychin, ish-presidenti pro-rus i cili u këtë viti nga pushteti pas shumë javë protestash në Kiev.