Lidhje

Pas tërheqjes së trupave amerikane nga Iraku radhën e ka Afganistani


Kur njoftoi tërheqjen e trupave luftarake amerikane nga Iraku, presidenti Obama e bëri të qartë se tani e ka rradhën Afganistani.

Gushtin që vjen, ne do t’ua kalojmë afganëve përgjegjësitë. Shpejtësia e reduktimit të trupave do të përcaktohet nga kushtet në teren dhe mbështetja jonë për Afganistanin do të vazhdojë. Por nuk duhet të vihet në dyshim se ky kalim përgjegjësish do të bëhet sepse luftërat pa mbarim nuk u sherbejnë as interesave tona dhe as atyre afgane.

Analistët thonë se tërheqja nga Iraku ua ka bërë të qartë udhëheqësve në Iran, Pakistan dhe vendet e tjera të rajonit se Shtetet e Bashkuara synojnë të tërheqin trupat e tyre.

Larry Goodson me Kolegjin e Luftës pranë Ushtrisë amerikane thotë se askush nuk po shqyrton pasojat e kësaj tërheqjeje më shumë sesa presidenti afgan, Hamid Karzai.

Të gjithë udhëheqësit rajonal mund t’i ndryshojnë sadopak përllogaritjet e tyre, por jo aq qartë dhe me ngut sa zoti Karzai sepse ai është i vetmi në situatë të papërshtatshme. Ai është njeriu që gjendet në udhëkryq nëse trupat amerikane dhe NATO-ja do të tërhiqeshin sot.

Presidenti Karzai i tha një delegacioni ligjvënësish amerikanë që vizituan Afganistanin kohët e fundit, se data e tërheqjes së trupave është një mbështetje morale për talebanët.

Zoti Larry Goodson thotë se presidenti Karzai mund të kërkojë mënyra që të mbajë trupat amerikane në vendin e tij më gjatë sesa kanë planifikuar presidenti Obama dhe këshilltarët e tij. Marrëdhëniet mes presidentit afgan dhe Shteteve të Bashkuara kanë kaluar në vështirësi, veçanërisht kohët e fundit. Presidenti Karzai ka kritikuar ashpër Shtetet e Bashkuara, kryesisht për viktimat civile, nga ana tjetër , zyrtarët amerikan vazhdojnë t’i kërkojnë udhëheqësit afgan që të pastrojë qeverinë e tij nga korrupsioni.

Analisti Brian Katulis në Qendrën për Përparimin Amerikan këtu në Washington, thotë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë mbajtur një qëndrim të njëjtë ndaj presidentit Karzai.

Jemi lëkundur si gjatë presidencës së Xhorxh Bushit por edhe nën presidentin Obama. Në një moment duket sikur po i bëjnë një paralajmërim të ashpër dhe pastaj i shtrojmë tapetin e kuq këtu në Washington. Asnjëra nga këto menyra nuk duket se po funksionon.

Luftërat në Afganistan dhe Irak janë krejtësisht të ndryshme, por strategjia në përgjithësi është e ngjashme: Ndërtimi i ushtrisë kombëtare në atë pikë që të jenë në gjendje të garantojë sigurinë, duke u mundësuar trupave amerikane që të kthehen në vendin e tyre. Por shumë analistë shprehin shqetësim nëse forcat afgane të sigurisë do të jenë në gjendje ndonjëherë ta kryejnë vetë këtë funksion.

Prania e bazave të sigurta talebane matanë kufirit në Pakistan mbetet një çështje shqetësuese.

Analisti Brian Katulis thotë se trajtimi i situatës në Pakistan ka qënë, sipas tij, një sukses i qetë për administratën e presidentit Obama. Ai thotë se marrëdhëniet mes Amerikës dhe Pakistanit vareshin në një fije peri në vitin 2007, por që nga ajo kohë, Pakistani është bërë më energjik në operacionet kundër militantëve.

Ka pasur një qëndrim shumë më agresive kundër terrorizmit. Janë bërë përpjekje me një numër udhëheqësish pakistanez që ata të ndryshojnë qëndrim ndaj situatës dhe kjo deri diku është aritur. Ata nuk kanë ndryshuar 100 përqind por kanë bërë përpjekje në drejtimin e duhur. Ajo që ne duhet të arrijmë dhe që përfundimisht është thelbësore për Afganistanin dhe për ne që të përfundojmë misionin atje, është bashkëpunimi me elementë si në Pakistani edhe në Afganistan që ata të luajë një rol më të përgjegjshëm. Dhe mendoj se kemi marrë disa hapa modeste në drejtimin e duhur.

Por luftëtarët taleban nuk i kanë pakësuar sulmet e tyre ndaj forcave ndërkombëtare, megjithëse pritet që gjatë dimrit të ardhshëm ata të përballen me disa pengesa. Shumë analistë thonë se talebanët duan të vazhdojnë presionin ndaj qeverisë së zotit Karzait derisa NATO-ja dhe trupat amerikane të largohen dhe më pas të mundohen të arrijnë një marrëveshje politike me presidentin Karzai, apo kushdo qoftë në pushtet në atë kohë.

XS
SM
MD
LG