Lidhje

SHBA vendos sanksione lidhur me pastorin e ndaluar në Turqi


Presidenti Donald Trump ka autorizuar vendosjen e sanksioneve ndaj dy zyrtarëve turq, pasi Ankaraja nuk ka pranuar të lirojë një pastor amerikan që mbahet nën arrest në Turqi. Autoritetet turke e arrestuan pastorin evangjelist nën akuzat për spiunazh dhe lidhje me një grup terrorist. Me sanksionet e njoftuara të mërkurën, shtohet edhe një tjetër pikë fërkimi në marrëdhëniet tashmë të acaruara mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë.

TEXT: Javën e kaluar, pastori Andrew Brunson u nxor nga burgu dhe tani mbahet nën arrest shtëpie. Por Truqia nuk ka pranuar ta kthejë në Shtetet e Bashkuara, megjithë paralajmërimin e Nënpresidentit Mike Pence.

Mike Pence, nënpresidenti i shteteve të Bashkuara

“Nëse Turqia nuk merr masa të menjëhershme për të liruar këtë njeri të pafajshëm të Zotit dhe ta kthejë në Amerikë, Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione të rënda ndaj Turqisë deri sa pastori Andrew Brunson të lirohet”.

Presidenti turk Recep Taip Erdogan e hodhi poshtë paralajmërimin, duke thënë se kërcënimet nuk mund ta detyrojnë Turqinë të kompromentojë pavarësinë e gjyqësorit.

Recep Taip Erdogan, Presidenti i Turqisë

“Këto kërcënime kundër nesh nuk janë në interes të askujt. Ne kemi dëshmuar solidaritetin më të fortë me Shtetet e Bashkuara në NATO”.

Administrata Trump dje njoftoi sanksione kundër dy zyrtarëve turq lidhur me mbajtjen nën arrest të pastorit.

Sarah Huckebee Sanders, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë

“Me udhëzim të presidentit, Departamenti i Thesarit ka vendosur sanksione kundër ministrit të drejtësisë dhe atij të punëve të brendshme të Turqisë, të cilët kanë luajtur role kryesore në arrestimin dhe mbajtjen në burgim të pastorit Brunson. Si rezultat, çdo zotërim që ata kanë nën juridiksion amerikan do të bllokohet dhe po ashtu nuk lejohet që shtetas amerikanë të angazhohen në aktivitet me këta individë,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

Pastori Brunson ka jetuar në Turqi për më shumë se dy dekada. Ai u arrestua pas grushtit të dështuar të shtetit në 2016 kundër qeverisë së Erdoganit. Autoritetet turke e akuzojnë pastorin amerikan se po ndihmonte organizatorët e puçit.

Pritet që sanksionet të acarojnë më tej marrëdhëniet e tendosura Uashington-Ankara. Shtetet e Bashkuara kanë hedhur poshtë kërkesën e Turqisë që të ekstradojnë klerikun turk Fetullah Gulen, me banim në Shtetet e Bashkuara. Ankaraja e akuzon klerikun si ideator të grushtit të shtetit. Guleni, i cili jeton në mërgim në Pensilvani, ka hedhur poshtë akuzat për përfshirje në puç. Uashingtoni thotë se Turqia nuk ka ofruar prova të mjaftueshme për të justifikuar ekstradimin e Gulenit dhe nuk ka pranuar të shkëmbejë Gulenin për pastorin.

Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë revoltuar Ankaranë me mbështetjen që u japin grupeve paraushtarake kurde që luftojnë në Siri dhe Irak. Turqia thotë se këto njësi luftarake kanë lidhje me një grup terrorist kurd.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG