Lidhje

Patogjenet rezistente ndaj antibiotikëve, një nga shqetësimet më të rënda për shëndetin


Patogjenet rezistente ndaj antibiotikëve, një nga shqetësimet më të rënda për shëndetin
Patogjenet rezistente ndaj antibiotikëve, një nga shqetësimet më të rënda për shëndetin

Patogjenet rezistente ndaj antibiotikëve janë një nga shqetësimet më të rënda për shëndetin. Shumë faktorë po shkaktojnë shtimin e rasteve, përfshirë mjekët që shkruajnë receta të tepërta për antibiotikë dhe pacientët që i keqpërdorin ato. Mirëpo organizata të shëndetit publik thonë se përdorimi i tepruar i antibiotikëve te gjedhët e shëndosha është po ashtu faktor. Fermerët i kundërvihen këtij pohimi, por zyrtarë e shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara tani thonë se ka prova të qarta. Dhe duke i dhënë fund shembullit të ndjekur nga administratat e mëparshme, zyrtarët po rekomandojnë ndërprerjen e praktikës.

Gati në të gjitha vendet e botës që merren me blegtori, blegtorët shtojnë një sasi të vogël antibiotikësh në ushqimin për kafshët. Antibiotikët i mbajnë ato të shëndosha dhe i ndihmojnë që të rriten më mirë.

Organizatat e shëndetit publik kanë kundërshtuar praktikën, sepse bakteriet, që vazhdimisht eskpozohen ndaj antibiotikëve, do të përftojnë ndërkohë rezistencë ndaj tyre. Por sektori i blegtorisë thotë se antibiotikët e përdorur janë shumë larg ushqimit që hanë njerëzit dhe nuk ka prova se ushqyerja e gjedhëve të shëndosha meantibiotikë po dëmton njerëzit.

Në një seancë dëgjimore në Kongres në Uashington, D.C., ditët e fundit, zyrtarët amerikanë nuk ishin të të njëjtit mendim. Ali Khan është zëvendësdrejtor i Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

“Ka prova të qarta dhe ka lidhje mes përdorimit të antibiotikëve në gjedhë dhe bartjes së bakterieve që u rezistojnë antibiotikëve dhe që kanë pasoja të dëmshme tek njerëzit”.

Zoti Khan vë në pah disa studime shkencore nga Evropa, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara, si dhe raportet nga Organizata Botërore e Shëndetit dhe Institutit Amerikan i Mjekësisë, që dëshmojnë të gjitha lidhjen mes përdorimit të antibiotikëve në veterinari dhe shtimit të rrezikut për patogjenë rezistentë ndaj ilaçeve në mesin e njerëzve.

Joshua Sharfstein (SHARF-steen) është zëvendëskomisioner i parë i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Ilaçeve, FDA. Në të njëjtën seancë dëgjimore, ai tha se njëri nga studimet më të mira përdori analizat molekulare për të identifikuar përhapjen e bakterieve rezistente.

“Mund të ndiqen bakterie të caktuara dhe zbulohet se llojet rezistente në njerëz kanë po atë përmbajtje gjenetike si llojet rezistente te kafshët”.

Këto deklarata të ashpra që i kundërvihen praktikës aktuale përfaqësojnë qëndrimin e ri të qeverisë amerikane ndaj kësaj çështjeje. FDA botoi udhëzime të reja për blegtorinë, duke rekomanduar që të ndalohet përdorimi i antiobiotikëve si nxitës për rritjen e kafshëve.

Jorgen Schlundt (YOR-gen SHLUNT), kreu i dikasterit sanitar për ushqimin në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, thotë se po bëhet përpjekja e duhur.

“Kjo është ngjarje shumë e rëndësishme. Po ndiqen udhëzimet që OBSH-ja ka dhënë, duke sugjeruar që të ndalohet përdorimi i antibiotikëve në mbarështimin e gjedhëve”.

Deri tani, vetëm Bashkimi Evropian ka zbatur rekomandimet e OBSH-së, duke ndaluar praktikën në vitin 2006. Zoti Schlundt thotë se praktika vazhdon akoma në vende të tjera të rëndësishme në prodhimet blegtorale. Ndërsa udhëzimet e Agjencisë Amerikane për Ilaçet dhe Ushqimin shihen si hap në drejtimin e duhur, zbatimi i tyre bëhet vullnetarisht. Kritikët thonë se kjo nuk është e mjaftueshme. Dhe zoti Schlundt thotë se mbase kanë të drejtë.

“Nga përvoja jonë, ka gjasa që imponimi ligjor të jetë i nevojshëm për çështje si kjo”.

Por të tjerët thonë se detyrimi ligjor do të ishte i gabuar. Organizata blegtore dhe shoqata më e madhe e veterinarëve të vendit thonë se antibiotikët po ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve të kafshëve, gjë që e bën furnizimin me ushqim më të sigurt. Randall Singer është profesor i epidemiologjisë në Universitetin e Minesotës. Pas seancës dëgjimore, ai tha se ndalimi i antibiotikëve mund të sillte më shumë dëm sesa dobi.

“Në Shtetet e Bashkuara, po të mos i përdornim këta antibiotikë për parandalimin e sëmundjeve, do të përballeshim me sëmundje. Unë kam frikë se, me përhapjen e më shumë sëmundjeve, do të kemi më shumë probleme në furnizimin me ushqim”.

Ali Khan nga Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe Joshua Sharfstein nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve thonë se nuk ka fakte reale për këtë shqetësim.

Kongresi po shqyrton projektligje që do të ndalonin përdorimin e disa antibiotikëve tek gjëja e gjallë. Por po përballet me kundërshtim të ashpër nga ligjvënësit e shteteve blegtore, e madje edhe mbështetësit e projektligjit thonë se ka pak gjasa që ai të miratohet sivjet.

XS
SM
MD
LG