Lidhje

PBDNJ kundër ndarjes së re territoriale


Kryetari Vangjel Dule kundërshton variantin me 61 bashki: Nuk respekton të drejtat e minoriteteve. Shqetësim Himara. Mbrëmë reformës iu bashkua PDIU-ja, parti opozitare

Në Shqipëri varianti përfundimtar i reformës administrativo territoriale ka sjellë carje edhe në gjirin e shumicës. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila përfaqëson interesat e minoritetit grek, u shpreh sot se e konsideron të papranueshme këtë reformë. Sipas kryetarit të saj Vangjel Dule, të drejtat e minoriteteve jo vetëm që shkelen, por sipas tij sjell probleme edhe në ekuilibrat historik, sic është rasti i Himarës, theksoi zoti Dule. Ndërkohë, varianti përfundimta i reformës administrativo territoriale, i cili parashikon 61 bashki në të gjithë vendin, ka marrë mbështetjen e partisë për Drejtësi, integrim dhe unitet, pjesë e koalicionit opozitar.

Që mbrëmë, ndërsa në komisionin e reformës territoriale, u paraqit si variant përfundimtar ai i ndarjes së re të vendit me gjithsej vetëm 61 bashki, nga 385 bashki e komuna që janë aktualisht, deputeti Andrea Marto, i cili përfaqëson minoritetin grek, ndonëse formalisht është nën siglën e socialistëve, shprehu shqetësim për ndarjen e propozuar. Sot, kryetari i PBDNJ-së Vangjel Dule u pozicionua qartë kundër variantit përfundimtar, duke deklaruar se ai nuk mban parasysh dhe nuk respekton të drejtat e minoriteteve: “Themelore ndër këto parime dhe standarte, janë ato të respektimit të drejtave të pjesetarëve të minoriteteve kombëtare kudo që ata jetojnë historikisht dhe në numër të konsiderushëm. Nga të dhënat e deritanishme, në dijeninë tonë, reforma orientohet në devijime substanciale nga këto parime dhe standarte dhe në shkelje flagrante të këtyre të drejtave themelore”.

Zoti Dule, deklaroi se nëse do të imponohet një realitet i tillë absurd, sic tha ai, atëherë kjo ndarje jo vetëm nuk do të pranohet por edhe nuk do të respektohet, nënvizoi kreu i PBDNJ-së. Shqetësimi kryesor i përfaqësuesve të minoritetit grek duket se është Himara, e cila do të jetë një bashki së cilës do t’i bashkangjiten edhe territore të tjera si Lukova apo dhe Vranishti. Sipas organizatës Omonia, popullsia ortodokse me origjinë greke do të bashkohet me popullsi muslimane shqiptare, gjë e cila sipas tyre do të rrezikonte identitetin e minoritetit grek.

Edhe zoti Dule u shpreh sot se "“Himara është rasti më i spikatur ku tentohet me ndarjen e re të shkelen të drejta themelore, të trazohen me qëllime të mbrapshta ekuilibra historik dhe kësisoj të krijohen probleme aty ku nuk ka”

Paralajmërimi i zotit Dule për votën kundër, nuk i cënon numrat e së majtës në parlament, për miratimin e reformës, ndonëse kërkohet një shumicë e cilësuar. Mbrëmë, papritur, komisionit të reformës territoriale ju bashkua PDIU-ja, pjesë e frontit të djathtë opozitar. Po aq papritur, edhe pse për javë të tëra, kishte prezantuar një variant ndarjeje miks mes 39 dhe 47 bashkive, Komisioni i reformës kaloi në variantin me 61 bashki, duke ju përshtatur propozimit të PDIU-së.

Ndarja e re pritet të miratohet nga parlamenti në fund të këtij muaji. Opozita gjatë gjithë kohës nuk mori pjesë në komision pasi sipas saj nuk pati garanci për miratimin e refomës me konsensus në parlament. Ndërsa në fillim të këtij muaji, ajo propozoi që reforma të niste me decentralizimin e pushtetit vendor dhe më pas të përfundonte te harta, një proces tërësisht i kundërt me atë që kishte nisur prej kohësh e majta. Mbetet të shihet se cili do të jetë qëndrimi i opozitës, kur gjithshka është drejt një fundi tanimë të qartë.


XS
SM
MD
LG