Lidhje

Mbyllet votimi për kreun e ri të PD


Në Shqipëri partia demokratike mbylli mbrëmë procesin e votimit për zgjedhjen e kreytarit të ri të saj. Për të zënë vendin e lënë bosh nga zoti Sali Berisha i cili u dorëhoq pas humbjes në zgjedhjet e 23 qershorit, konkurruan kryetari aktual i Bashkisë Lulzim Basha dhe ministri i Transporteve Sokol Olldashi. Procesi i votimit u shoqërua me disa probleme, kryesisht me mungesa në lista të anëtarëve të partisë që mbetën pa votuar. Ndërsa kryetari i dorëhequr Berisha por edhe kandidati Lulzim Basha folën për një proces historik e të pashoq, në mbrëmje, kandidati tjetër në garë Sokol Olldashi hodhi hije dyshimi, ndërsa ngriti shqetësimin e listave, fletëve të votimit me numër serie si dhe la të kuptohej se në garë ai nuk kishte patur vetëm zotin Basha

Që në orët e para të votimit në partinë demokratike në shumë qytete u shfaq problemi I listave të anëtarëve, ku ishin të shumtë ata që u ankuan për faktin se nuk gjenin emrin. Një pjesë ishin anëtarë të vjetër që deklaruan se ishin në radhët e kësaj partie që në momentet e themelimit, të tjerë ishin të rinjë që ishin përfshirë edhe një vit më parë.

Megjithatë për këtë problem nuk pati asnjë sqarim zyrtar nga partia demokratike. për përmasat e përhapjes së tij. Nga selia qëndrore kryetari I dorëhequr Sali Berisha foli paradite me tone entuziaste për procesin. “Kjo është një ditë historike për Partinë Demokratike, pasi për herë të parë në historinë e saj por edhe në historinë e vendit, zgjedh bazuar në parimin më demokratik një anëtar një votë, kryetarin e saj të ri”, deklaroi zoti Berisha.

Pas tij edhe zonja Topalli në daljen e parë publike që pas mbledhjes së kryesisë ku u njoftua hapja e garës për ryetarin e ri, foli për një tjetër standart të lartë që sic theksoi ajo, mbante sërish autorësinë e zotit Berisha. Edhe kandidati Lulzim Basha foli për “një proces të pashoq në historinë e pluralizmit, procesi i parë i vërtetë, jo fals i zgjedhjes së kryetarit të një partie politike”, deklaroi ai.

Por në mbrëmje, pak para se të përfundonte orari i votimit, kandidati tjetër Sokol Olldashi bëri një deklaratë të hidhur duke lënë hije dyshimi mbi procesin. Ai shprehu shqetësim për cështjen e listave të votuesve për të cilat tha se nuk kish patur dijeni: "Dua t’i kërkoj ndjesë mijëra demokratëve që nuk morën dot pjesë në votim për shkak se nuk kanë emrat në listë. Eshtë një problem për të cilin nuk kam qenë në dijeni për përmasën. Duke qenë se Tirana kishte një shtesë prej 2500 emrash mendova se ishte pikërisht ky kontingjent, në fakt, me sa duket ishte një kontingjent tjetër që duhet parë se c’është”.

Një tjetër problem, për të cilin nuk u fol shumë, ishte se fletët e votimit kishin të stampuara me përmasa jo të vogla një numër serial. Një fakt për të cilin do të shprehej jo pa ironi zoti Olldashi: “Unë sapo votova. Votova me fletën 41302. Po e them që të jetë e qartë dhe për komisionin”, tha ai.

Zoti Olldashi u kujdes të pohonte se sipas tij këto probleme nuk lidheshin me rezultatin, pavarësisht se duhet të konsideroheshin të tilla edhe sikur të dilte ai fituesi. Ndërkohë nga ana tjetër ai la të kuptohej se nuk kishte qenë në një garë të barabartë kur tha se “Dua të përgëzoj gjithë demokratët për procesin, dua të përgëzoj gjithashtu dhe të gjithë kandidatët rivalë”. Duke folur në shumës ai bëri të qartë se nuk kishte konkurruar vetëm me zotin Basha, i parë gjerësisht si një figurë e cila pati një ngjitje të shpejtë falë mbështetjes së pakursyer të zotit Berisha.

Zyrtarisht votimi duhej të mbyllej në orën 19, por në disa qytete ai u shty për shkak të pranisë së demokratëve që donin të votonin. Nga partia demokratike nuk u dha asnjëherë pjesmarrja në votime. Kutitë me fletët e votimit u nisën drejt Tiranës në mbyllje të procesit, ku dhe do të numërohen, menjëherë pasi të jenë grumbulluar të gjitha. Dhjetë grupe numërimi do të shqyrtojnë fletët e votimit, ndërkohë që nuk është e qartë se kur do të mund të dalë rezultati përfundimtar.
XS
SM
MD
LG