Lidhje

SHBA reagon pas arrestimit të amerikanëve në Turqi


Nënpresidenti Mike Pence i shprehu shqetësimin e tij të thellë Kryeministrit turk Binali Yildirim për arrestimin e shtetasve amerikanë dhe të një punonjësi vendas të konsullatës së Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, zoti Pence dhe zoti Yildrim, i cili po viziton Uashingtonin, shpresojnë se takimi i tyre do të hapë një kapitull të ri në marrëdhënien SHBA – Turqi. Ata ranë dakort për nevojën e një dialogu konstruktiv, si miq dhe aleatë, për sfidat e marrëdhënies dypalëshe.

Kryeministri turk Binali Yildirim mbërriti në Uashington të martën për një takim të planifikuar me Nënpresidentin Mike Pence. Por, Shtëpia e Bardhë e shtyu takimin, pasi Nënpresidenti Pence udhëtoi drejt Teksasit në nderim të viktimave të masakrës në kishën e Sutherland Springs. Shtyrja i dha mundësinë zotit Yildirim të vizitojë monumentet e Uashingtonit, ndërkohë që takimi me dyer të mbyllura u zhvillua dje në Shtëpinë e Bardhë.

“Nënpresidenti falenderoi kryeministrin e Turqisë për kontributin ndaj sigurisë globale dhe luftën kundër ISIS-it. Ai nënvizoi angazhimin e SHBA-së përkrah Turqisë në përballjen me PKK-në dhe të gjitha kërcënimet e tjera terroriste. Nënpresidenti shprehu shqetësimin e thellë për arrestimet, bazuar në gjendjen e emergjencës, të shtetasve amerikanë, stafit vendas të misionit tonë në Turqi, gazetarëve, dhe anëtarëve të shoqërisë civile, si dhe bëri thirrje për një zgjidhje të këtyre rasteve”, informoi gazetarët zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert.

Zonja Nauert i tha Zërit të Amerikës se Nënpresidenti Pence ngriti çështjen e pastorit amerikan Andrew Brunson, i cili u burgos një vit më parë në Turqi, nën akuza për mbështetje të klerikut turk me qëndrim në SHBA, Fetullah Gulen. Zonja Nauert tha se Nënpresidenti Pence është i apasionuar në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe lirisë fetare.

Përpara se të nisej nga Ankaraja, zoti Yildirim tha se dëshironte të diskutonte ekstradimin e zotit Gulen, si dhe çështjen e Reza Zerrabit, një tregtar floriri turko-iranian i arrestuar në SHBA në vitin 2016, i akuzuar për shkelje të sanksioneve ndaj Iranit.

“Kemi disa shqetësime për raste të shtetasve tanë të arrestuar në SHBA. Kërkesa të ngjashme ka edhe SHBA-ja, të cilat po trajtohen nëpërmjet kanaleve diplomatike. Pra të dyja palët po kërkojmë një rrugëdalje”, u shpreh Kryeministri Yildirim.

Presidenti Donald Trump dhe ai turk Recep Tayyip Erdogan e kanë bërë të qartë se duan të lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të nxisin marrëdhënien SHBA – Turqi. Por, analistët thonë se kjo do të jetë e vështirë, për shkak të pikëpyetjeve të respektimit të shtetit ligjor nga ana e zotit Erdogan.

“Edhe nëse vërtet Erdogan dhe Trump do të dëshironin të zgjidhnin problemet, mendoj se për shkak të mënyrës se si perceptohet Turqia këtu në Uashington, do të jetë e vështirë për Presidentin Trump të ndërmarrë hapa në kundërshtim me konsensusin e përgjithshëm në Uashington”, thotë Gonul Tol, e Institutit për Lindjen e Mesme.

Departamenti Shtetit njoftoi këtë javë rikthimin e shërbimit të kufizuar të vizave në Turqi, duke sinjalizuar njëfarë përmirësimi të marrëdhënies SHBA – Turqi, pasi të dyja vendet patën ndaluar dhënien e vizave pas arrestimit të personelit diplomatik amerikan.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG