Lidhje

Pence: Duam të shohim rezultate lidhur me Korenë e Veriut


Takimi i dytë i propozuar për t’u zhvilluar mes Presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un, duhet të rezultojë me një listë të detajuar të impianteve me armë bërthamore të Phenianit, tha të enjten Nënpresidenti amerikan Mike Pence.

Në një intervistë me rrjetin televiziv NBC News, zoti Pence tha se takimi i dytë Trump-Kim, që parashikohet të zhvillohet në fillim të vitit të ardhshëm, do të jetë vendi ku duhet të arrihet marrëveshje për një "plan të verifikueshëm" për të bërë publike impiantet me armatime bërthamore.

"Mendoj se do të jetë absolutisht e domosdoshme që në këtë takim të ardhshëm të dalim me një plan për identifikimin e të gjitha armatimeve në fjalë, duke identifikuar të gjitha vendet ku prodhohen, lejimin e inspektimeve atje dhe një plani për çarmatim të armëve bërthamore" tha ai.

"Tani ne duam të shohim rezultate," shtoi zoti Pence. Por ai tha se Shtetet e Bashkuara nuk do të kërkojnë që Pheniani të dorëzojë një listë të tillë përpara takimit të nivelit të lartë. Kjo listë shihet gjerësisht si hapi i parë që Koreja e Veriut duhet të marrë për të treguar se është serioze në qëndrimin për heqjen dorë nga arsenali bërthamor.

Deklarata e Nënpresidentit Pence është ndoshta kërkesa më e qartë publike që administrata Trump ka bërë lidhur me Korenë e Veriut, që nga takimi i parë historik Trump-Kim në Singapor në muajin qershor.

Në atë takim të dyja palët ranë dakord të punojnë drejt çarmatimit bërthamor të gadishullit Korean si dhe për të përmirësuar lidhjet mes Uashingtonit dhe Phenianit. Por që atëherë bisedimet kanë ngecur.

Kohët e fundit, një takim i planifikuar mes sekretarit amerikan të Shtetit Mike Pompeo dhe një zyrtari të lartë të Koresë së Veriut u anulua, pa u dhënë asnjë arsye.

Por zoti Trump ka mbetur optimist. Pak pas takimit të Singaporit ai deklaroi se "nuk ka më kërcënim bërthamor nga Koreja e Veriut". Javën e kaluar, ai tha se ishte "shumë i lumtur" me mënyrën se si po shkojnë negociatat.

"Mendojmë se gjithçka po shkon mirë. Nuk kemi asnjë ngut”, tha zoti Trump.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG