Lidhje

Sulmi amerikan, 59 raketa tomahok kundër bazës siriane


Shtetet e Bashkuara ndërmorën një goditje me raketa në Siri, si kundërpërgjigje ndaj sulmit me armë kimike të ditës së martë, për të cilin fajësohen forcat e presidentit Bashar al-Asad. Kjo është goditja e e parë e drejtpërdrejtë amerikane kundër qeverisë siriane.

Dhjetëra raketa tomahok u lëshuan nga destrojerët e Marinës amerikane në Mesdhe, si përgjigje ndaj sulmit me armë kimike, ndoshta me gaz nervor sarin, për të cilin zyrtarët amerikanë besojnë se u ndërmor nga avionët sirianë kundër një qyteti të mbajtur nga kryengritësit në Siri.

Pas goditjes amerikane sot në orët e para të mëngjesit, presidenti Donald Trump bëri një deklaratë për gazetarët nga vendpushimi i tij në Floridën jugore.

"Sonte kam urdhëruar një sulm ushtarak kundër aeroportit në Siri, nga ku u ndërmor sulmi kimike. Është në interesin jetik të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të parandalohet dhe pengohet përhapja dhe përdorimi i armëve kimike vdekjeprurëse."

Zoti Trump e quajti sulmin me armë kimike të kësaj jave "tepër barbar", duke thënë se Assadi “u mori jetën burrave, grave dhe fëmijëve të pashpresë."

Ai tha se përpjekjet e mëparshme gjatë shumë viteve për ndryshimin e e sjelljes së Asadit "kanë dështuar të gjitha dhe kanë dështuar në mënyrë shumë dramatike." Zoti Trump i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar t'u bashkohen Shteteve të Bashkuara për t'i dhënë fund gjakderdhjes në Siri:

"U bëj thirrje të gjitha vendeve të qytetëruara të bashkohen me ne në përpjekjet për t'i dhënë fund masakrës dhe gjakderdhjes në Siri si dhe për t'i dhënë fund terrorizmit të të gjitha llojeve."

Në një deklaratë të premten, zyra e presidentit sirian Bashar al-Asad i përshkroi sulmet si "të papërgjegjshme". Në deklaratë thuhej se sulmet ishin "një akt dritëshkurtër" dhe vazhdimësi e një politike amerikane të nënshtrimit.

Goditja u ndërmor ndërkohë që Presidenti Trump pret Presidentin kinez Xi Jinping në vendpushimin e tij në Mar-a-Lago të Floridës. Zoti Trump nuk i kishte njoftuar paraprakisht goditjet, edhe pse ai dhe zyrtarë të tjerë të sigurisë kombëtare i shtuan paralajmërimet ndaj qeverisë siriane gjatë ditës së enjte.

Goditja e papritur shënoi një kthesë befasuese për zotin Trump, i cili kur ishte kandidat paralajmëronte që SHBA të mos përziheshin në luftën civile siriane, tashmë në vitin e saj të shtatë. Por presidenti u shfaq i emocionuar nga videot dhe fotot e fëmijëve të vrarë në sulmin kimik në Siri, duke e quajtur atë një "turp për njerëzimin" dhe që i kishte kapërcyer kufijtë në shumë aspekte.

Përgatitjet në Pentagon

Një zyrtar i lartë ushtarak i SHBA tha të enjten se Pentagoni kishte paraqitur alternativa për një goditje në Siri, pas sulmit me armë kimike ku u vranë rreth 100 civilë dhe për të cilin është fajësuar presidenti Bashar al-Asad.

Zyrtari i tha Zërit të Amerikës se në Pentagon ishin zhvilluar takime me shefat e shtatmadhorisë lidhur me atë që ai e quajti synim verbal të Presidentit Donald Trump për të ndërmarrë veprime në Siri.

Gjatë rrugës në avion për në Florida për takimin me presidentin kinez Xi Jinping, Presidenti Trump u tha gazetarëve se ajo që ndodhi në Siri ishte "një turp për njerëzimin," dhe se me Asadin në komandë ... diçka duhet të ndodhë."

"Ajo që bëri Assadi është e tmerrshme. Unë mendoj se ajo që ndodhi në Siri është një nga krimet me të vërtetë skandaloze; kjo nuk duhet të kishte ndodhur dhe nuk duhet të lejohet të ndodhë," tha ai.

Zoti Trump shtoi se "në një moment të caktuar" ai mund të flasë për Sirinë me aleatin e saj më të madh ushtarak, presidentin rus Vladimir Putin.

Sekretari i Shtetit Rex Tillerson flet në konferencën e shtypit të enjten në Palm Beach, Florida. Ai tha se Assadi nuk ka rol në qeverisje në të ardhmen e Sirisë.
Sekretari i Shtetit Rex Tillerson flet në konferencën e shtypit të enjten në Palm Beach, Florida. Ai tha se Assadi nuk ka rol në qeverisje në të ardhmen e Sirisë.

Tillerson: Assadi duhet të largohet

Dje, Sekretari amerikan i Shtetit Rex Tillerson bëri thirrje për rrëzimin e presidentit sirian Bashar al-Asad, për shkak të sulmit me armë kimike.

"Procesi me të cilin Assadi do të largohej nga pushteti është diçka që kërkon një përpjekje të komunitetit ndërkombëtar, për të mundur së pari ISIS-in në Siri, për të stabilizuar vendin e për të shmangur luftën e mëtejshme civile, dhe më pas për të punuar së bashku me partnerët tanë kudo në botë përmes një procesi politik që do të çonte në largimin e Assadit,” u tha gazetarëve në Florida zoti Tillerson.

Duke sinjalizuar një ndryshim të papritur në politikën amerikane për të ardhmen e Assadit, zoti Tillerson tha se “Assadi nuk do të ketë asnjë rol në qeverisjen e popullit sirian."

Komentet e zotit Tillerson ishin në kontrast me ato të bëra në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar nga zëdhënësi Sean Spicer, i cili tha se administrata e Presidentit Donald Trump po largohej nga qëndrimi i ish-presidentit Barak Obama, i cili kishte bërë thirrje për rrëzimin e Asadit.

"Ka një realitet politik që ne duhet ta pranojmë nga aspekti i gjendjes ku jemi tani”, tha zoti Spicer të premten e kaluar. "Ne kemi humbur shumë raste gjatë administratës së fundit, në lidhje me Asadin," shtoi ai. Edhe zoti Tillerson kishte komentuar, se fati i Assadit duhej të vendosej nga populli sirian. Komentet u kuptuan si një sinjal se Uashingtoni nuk e shihte si përparësi të lartë heqjen e Assadit nga pushteti.

"Ne po shqyrtojmë përgjigjen e duhur" për sulmin kimik në Siri, tha të enjten zoti Tillerson. Shtetet e Bashkuara, tha ai, janë konsultuar me vendet e tjera për të përcaktuar mënyrën më të mirë për t'u kundërpërgjigjur. "Kjo është një çështje serioze, që kërkon një përgjigje serioze," tha Sekretari i Shtetit.

SHBA hedhin poshtën pretendimin rus dhe sirian

Diplomati i lartë amerikan tha se sulmi i së martës "na ka tronditur të gjithëve. ... Nuk ka asnjë dyshim në mendjet tona, dhe informacioni që kemi e mbështet këtë, se Siria, regjimi sirian nën Asadin, është përgjegjës për këtë sulm. Dhe, unë mendoj, se është shumë e rëndësishme që qeveria ruse të rishikojë me kujdes mbështetjen e saj të vazhdueshme për regjimin e Asadit."

Zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë se ishin avionët luftarakë sirianë që sulmuan me bomba kimike qytetin e mbajtur nga kryengritësit.

"Njerëzit në terren u panë duke reaguar ndaj një agjenti nervor dhe ndërtesa e goditur ishte pa mëdyshje një spital", tha një zyrtar ushtarak amerikan për Zërin e Amerikës.

Zyrtari tha se sulmi u krye nga avionë sirianë me krahë fiksë dhe hodhi poshtë pretendimet ruse dhe siriane se objektivi i goditur ishte një depo e kryengritësve për grumbullimin e armëve kimike.

4 prill, 2017. Foto e bërë nga një aktivist anti-qeveritar.
4 prill, 2017. Foto e bërë nga një aktivist anti-qeveritar.

Viktimë e sulmit: Aya Fadl me maskë oksigjeni pas sulmit. Aya u largua nga shtëpia me nxitim bashkë me fëmijën dhe burrin, duke menduar se do të shpëtonte. Por kur doli në rrugë ajo u përball me gazin helmues.
Viktimë e sulmit: Aya Fadl me maskë oksigjeni pas sulmit. Aya u largua nga shtëpia me nxitim bashkë me fëmijën dhe burrin, duke menduar se do të shpëtonte. Por kur doli në rrugë ajo u përball me gazin helmues.

Kremlini tha se presidenti rus Vladimir Putin, në një telefonatë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, "theksoi se është e papranueshme të bësh akuza të pabaza pa një hetim ndërkombëtar të paanshëm”. Por një zëdhënës i zotit Putin tha gjithashtu se mbështetja ruse për Assadin nuk është e pakushtëzuar.

Britania, Franca dhe SHBA e dënuan me forcë Rusinë të mërkurën gjatë një sesioni të ngutshëm të Këshillit të Sigurimit të mërkurën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG