Lidhje

Kisha Ortodokse, "jo" përdorimit të mjediseve kishtare për politikë


Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë reagoi të hënën përmes një deklarate për atë që ajo e quan “përdorim i papranueshëm i mjediseve kishtare për qëllime politike”. Në deklaratë pohohet se “ditët e fundit, në dy raste, në kuadrin e fushatës parazgjedhore, ka pasur përdorim të papranueshëm të mjediseve kishtare për qëllime politike. Në Kurjan të Roskovecit, në Mitropolinë e Fierit, është bërë një prezantim kandidati në mjediset e kishës monument kulture të Shën Nikollës.

Gjithashtu në fshatin Lekël të Tepelenës, në Mitropolinë e Gjirokastrës, ka pasur një takim politik parazgjedhor në mjediset e kishës së Profetit Ilia, të dyja pa dijeninë e Mitropolive përkatëse.” Kisha Orthodhokse vlerëson në deklaratën e saj se “përdorimi i ambienteve të brendshme të kishave të shenjta për aktivitetet politike në fushatat zgjedhore përbën një fyerje të ndjenjave fetare komunitare dhe institucionale”. Kisha vlerëson se “këto veprime janë në kundërshtim me “Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë” dhe ka kërkuar që “këto veprime të mos përsëriten dhe që për vendet e shenjta të tregohet respekti që imponon ligji dhe bashkëjetesa fetare."

Pas reagimit të Kishës Orthodokse kandidatja për Bashkinë e Roskovecit Majlinda Bufi u përgjigj përmes një deklarate se “Kisha e Shën Kollit është objekt i Ministrisë së Kulturës”. “Nuk bëra fushatë politike, por thjesht dhashë një intervistë. Nëse në këtë kishë do të ushtrohej aktivitet fetar jam dakord, por ai është thjesht një objekt monument kulture”, u shpreh zonja Bufi. Ndërsa stafi i kandidatit për Bashkinë e Tepelenës Tërmet Peçi e lidhi aktivitetin në kishë me traditën e zonës. Së bashku me postimin e fotove të aktivitetit në rrjetin social Facebook, kandidati Peçi pohoi se “biseda në kishën e fshatit është një traditë që i shoqëron në shekuj, mbledhjet dhe kuvendimet e lekëliotëve... Kjo për faktin se fjala e lënë në vend të shenjtë, duhet patjetër të marrë udhë e të bëhet realitet”, shkroi në Facebook kandidati për Bashkinë e Tepelenës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG