Lidhje

Përvjetorët e vitit 2014


Ndërsa bota lë pas vitin 2013 dhe nis Vitin e Ri 2014, le t’i hedhim një vështrim disa prej përvjetorëve më të rëndësishëm që priten të përkujtohen në vitin 2014.


Sot ai është një destinacion i famshëm turistik, por tetëdhjetë vjet më parë, më 1 janar 1934, ishulli Alkatraz në Gjirin e San Franciskos u kthye në burg federal.
Al Capone, ish-udhëheqësi i një bande në Çikago, ishte një prej 43 të burgosurve që u dërguan në Alcatraz.
*********
Shkencëtarë dhe inxhinierë të NASA-s dërguan dy sonda robotë në sipërfaqen e Marsit në vitin 2004. Roboti i parë, i quajtur "Spirit" u ul në kraterin Gusev të planetit të kuq. Një sondë identike e quajtur "Opportunity" zbarkoi dy javë më vonë në anën tjetër të planetit në një rajon të sheshtë të quajtur Meridiani Planum.
Dy sondat realizuan fotografi të hollësishme të peizazhit shkëmbor të marsit. Mjeti eksplorues i NASA-s “Opportunity” vazhdon të qarkullojë ende në sipërfaqen e tij.
*********
Kompania Apple feston së shpejti 30 vjetorin e paraqitjes së kompjuterit të parë Macintosh. Apple, një markë që do të pushtonte botën e komjuterave, e bëri prodhimin e saj publik më 24 Janar 1984. Kompjuteri Macintosh kishte sistem ndërveprimi grafik. Gjithashtu ishte më i lirë dhe më i shpejtë si dhe u mbështet me një fushate e fuqishme reklamimi.
*********
Pas një fillimi modest në vendin e lindjes Angli, duke interpretuar në salla muzike, Charlie Chaplin u shpërngul në Shtetet e Bashkuara, ku u bë një nga yjet më të mëdhenj të filmave pa zë. Në shkurt të vitit 1914 u shfaq filmi i parë me personazhin e tij karakteristik “vagabondi i vogël” titulluar "Kid Auto Races at Venice". Në shtator 1913 ai kishte nënshkruar kontratën e tij të parë me Kompaninë e Filmave Keystone. Së shpejti personazhi me kapele dhe me shkopin që rrotullonte shpesh do të bënte për vete publikun në të gjithë botën. Në vitin 1918, Charlie Chaplin paguhej më shumë se 1 milion dollarë për tetë komedi me dy-bobina.
*********
Mania e Beatles pushtoi Shtetet e Bashkuara pesëdhjetë vjet më parë, në vitin 1964, me turneun e katërshes në SHBA në muajin shkurt të atij viti. Grupi u takua dhe me boksierin Muhammad Ali, që atëherë njihej me emrin e tij Cassius Clay, dhe që më 25 shkurt 1964 fitoi titullin kampion bote i peshave të rënda, duke mundur favoritin Sonny Liston.

Pak më vonë, boksieri, cili ishte rritur në një familje baptiste njoftoi kalimin e tij në fenë islame dhe ndërroi emrin. Tre vjet pas tërheqjes nga boksi në vitin 1981, Mahammad Ali njoftoi se vuante nga sëmundja e Parkinsonit, një çrregullim degjenerativ i trurit që disa studiues besojnë të jetë shkaktuar tek ai nga goditjet e vazhdueshme në kokë.
*********
Njëzet vjet më parë, Nelson Mandela bëri betimin si President i Afrikës së Jugut, pas zgjedhjeve të para të lira e demokratike në vend, më 11 maj 1994. Kalimi nga i burgosur në President ishte diçka për të cilën Mandela ishte përgatitur prej vitesh, prandaj ai u përshtat me lehtësi në rolin e udhëheqësit. Karizma e tij dhe stili i tij zbutën dhe disa nga konservatorët më të ashpër që aparteidi kishte lënë pas.
Nelson Mandela vdiq më 5 dhjetor 2013 dhe për të u mbajt zi në të gjithë botën.

Një dekadë më parë, më 5 qershor 2004 pas një beteje 10-vjeçare me sëmundjen e Alzheimerit, vdiq Presidenti amerikan Ronald Reagan. Ai është varrosur pranë bibliotekës presidenciale që mban emrin e tij.
*********
Viti 2014 do të shënojë dy përvjetorë të rëndësishëm të dy luftërave botërore që tronditën shekullin e 20-të. Më 6 qershor bëhen 70 vjet që nga zbarkimi i 156 mijë trupave aleate në Normandi të Francës, në vitin 1944. Trupat e Shteteve të Bashkuara dhe 11 vendeve të tjera formuan armatën më të madhe në histori për të çarë Murin e Atlantikut të Hitlerit në bregdetin verior të Francës. Deri në fund të asaj dite rreth 10 mijë njerëz u vrarë, u plagosën ose rezultonin të humbur.
*********
100 vjet më parë, më 28 qershor 1914 u vra në Sarajevë, arkiduka Franc Ferdinand. Vrasësi, 19-vjeçari nacionalist serb nga Bosnja Gavrilo Princip u kap pas një përleshjeje fizike në vendin ku vrau arkidukën, trashëgimtar i fronit austro-hungarez, dhe gruan e tij.

Për shkak të moshës së re, Princip nuk u dënua me vdekje, por ai vdiq katër vjet më vonë në burg. Vrasja e Franc Ferdinand-it shkaktoi një zinxhir ngjarjesh që i bënë shumë vende të botës të përfshiheshin në një konflikt të përgjakshëm, Lufta e Parë Botërore. Përdorimi i teknologjisë në fushën e betejës ndryshoi përgjithmonë luftrat moderne.
*********
Dyzet vjet më parë, më 9 gusht 1974, Presidenti amerikan Richard Nixon dha dorëheqjen për shkak të skandalit Watergate, skandali më i madh politik në Shtetet e Bashkuara, i cili kishte të bënte me përgjime dhe hyrje në fshehtësi në selinë e Komitetit Kombëtar Demokratik.
*********
Njëqind vjet më parë, më 15 gusht 1914, u hap kanali i Panamasë, afro 80 kilometra i gjatë, i cili bëri të mundur që anijet të kalonin nga Atlantiku në Paqësor brenda një kohe prej 8 deri në 10 orë. Për ndërtimin e kanalit, i financuar nga Amerika, ishin dashur dhjetë vjet.

Në vitin 1999 Panamaja mori përsipër operacionet e lundrimit dhe tashmë kanali administrohet nga një agjenci autonome qeveritare, e quajtur Autoriteti i Kanalit të Panamasë. Kanali i Panamasë është tepër i ngushtë për anijet e sotme të mëdha të mallrave dhe është duke u zgjeruar nga një konsorcium i kryesuar nga një firmë ndërtimi spanjolle. Autoriteti i Kanalit të Panamasë po shpenzon rreth 5,25 miliardë dollarë për të zgjeruar kanalin, rrugët e reja të të cilit nuk pritet të mund të përdoren deri në vitin 2015 .
*********
Më 1 shtator 2004 disa dhjetëra militantë islamikë morën peng më shumë se 1 mijë e 100 studentë, mësues dhe prindër duke i mbajtur ata në palestrën e një shkolle në Beslan të Osetisë së Veriut, në Federatën Ruse. Ngjarja tragjike tre-ditore, gjatë së cilës pengjeve nisi t’i mungonte ushqimi dhe uji, përfundoi në një gjakderdhje masive pas dy shpërthimeve të fuqishme në shkollë, me forcat e sigurimit që nisën një përpjekje shpëtimi kaotike. Më shumë se gjysma e 333 viktimave ishin fëmijë dhe shumica e tyre u vranë si pasojë e shpërthimeve ose nga shkëmbimi i zjarrit.
XS
SM
MD
LG