Lidhje

Në përvjetorin e parë të Marshimit të Grave


Mijëra gra janë mbledhur në Uashington, DC dhe në qytete anembanë vendit në përvjetorin e inaugurimit të Presidentit Donald Trump, me thirrjet për të drejta të barabarta për paga dhe kujdes shëndetësor, për të denoncuar ngacmimet seksuale dhe për të inkurajuar gratë të kandidojnë për poste zyrtare.

Aktivistet gjithashtu po trajtojnë çështje të tjera, të tilla si barazia racore, kontrolli i armëve, mbrojtja e imigrantëve dhe përpjekjet e konservatorëve për të shmangur financimin e programeve të planifikimit familiar.

Pjesëmarrja në marshimin e sivjetshëm në Uashington ishte më e ulët nga ajo e vitit të kaluar. Por marshime po zhvillohen edhe në qytete të tjera të mëdha në mbarë vendin: Nju Jork; Filadelpia; Los Anxhelos; Çikago; Denver, Kolorado; Sharlot, të Karolinës së Veriut; dhe Palm Beach të Floridas, ku presidenti ka një shtëpi pushimi. Las Vegasi do të organizojë të dielën marshimin më të madh të titulluar Marsho për të Votuar. Organizatorët e protestës po vënë në shënjestër shtetet e pavendosura (shtetet ku demokratët dhe republikanët kanë shans të barabartë për të fituar) duke shpresuar që të regjistrojnë një milion votues të rinj.

Tubimet synojnë të ndjekin shembullin e marshimit të grave vitin e kaluar, që u zhvillua menjëherë pas inaugurimit të Presidentit Trump. Shumë gra në atë marsh treguan kundërshtimin e tyre ndaj presidentit aktual, i cili është akuzuar për sjellje të pahijshme seksuale nga të paktën 19 gra.

Presidenti Trump shkroi të shtunën në Twitter për marshimin e grave, duke thënë: "Moti i bukur në të gjithë vendin tonë të madh, një ditë e përkryer për të gjitha gratë të marshojnë. Dilni tani për të festuar momentet historike dhe suksesin ekonomik të pashembullt që kemi krijuar”.

Ndërsa fokusi për marshin e parë ishte presidenti i sapo inauguruar, marshimi i këtij viti zhvillohet në një kohë kur gratë po flasin më shumë se kurrë, duke theksuar ngacmimin seksual dhe abuzimin e pushtetit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti i hedh një vështrim lëvizjes në rritje #MeToo - Edhe Unë.

10-vjeçarja Hannah Howard dallon në moshë nga një aktiviste tipike. Por, viti i kaluar la gjurmë tek kjo vajzë e vogël.

Gratë po trajtohen keq sot dhe për vite më parë, prandaj vendosa të bashkohem me marshimin”, thotë ajo.

Hannah dhe nëna e saj Katie u bashkuan me qindra mijëra gra e vajza në një nga protestat më të mëdha në historinë amerikane.

Marshimi u zhvillua një ditë pas inaugurimit të Presidentit Donald Trump. Me parullën “Të drejtat e grave janë të drejta të njeriut”, marshimi ishte një “tërmet kulturor” thotë nëna e Hannah-s, Katie:

Po i kushtohet vëmendje më e madhe çështjeve të gruas. Mendoj se bota po e sheh se gratë mund të bashkohen dhe do të bashkohen në tubime masive”.

Këto tubime janë vërejtur edhe në median sociale. Fushata # Edhe Unë u bë një mënyrë për të bashkuar zërat e grave, pasi një numër burrash të famshëm u akuzuan për sjellje të papërshtatshme seksuale. Shumë prej tyre humbën punën si rezultat i akuzave.

Si rezultat u krijua bindja në disa qarqe se gratë nuk do ta lejonin më status kuonë. Por, jo të gjithë mendojnë kështu:

Librat e historisë do ta analizojnë këtë moment si një vit i shoqëruar me zhurmë të madhe, por pa zgjidhur problemin e madh të hendekut në paga,” thotë Naomi Cahn, pedagoge në Universitetin George Washington.

Pedagogia Naomi Cahn shkruan dhe jep leksione mbi çështjen e gruas.

Statistikat e Departamentit të Punës mbi tre mujorin e fundit të vitit 2017 tregojnë se gratë fituan afro 80% të të ardhurave që morën burrat. Ky dallim është edhe më i thellë për gratë afrikano-amerikane, të cilat marrin paga sa 69% e pagave të burrave, ndërsa gratë hispanike marrin edhe më pak.

Chandra Childers është studiuese në Institutin për Kërkime mbi Politikat e Grave:

Këto gra ndeshen me hendek më të thellë në paga dhe ritme më të larta varfërie se sa gratë e bardha dhe aziatike, po ashtu kanë edhe nivel më të ulët arsimor”, thotë Chandra Childers, studiuese në Institutin për Kërkime mbi Politikat e Grave.

Gjykata e lartë nuk ka ndërhyrë për të kufizuar të drejtën e gruas për të vendosur për abort vitin e kaluar, por ekspertët thonë se kjo e drejtë është e kërcënuar.

“Shtetet individuale po tregohen shumë krijues duke dalë me mënyra të ndryshme për të kufizuar këtë zgjedhje për gratë,” thotë pedagogia Cahn.

Nga ana tjetër, më shumë gra, përfshirë edhe gra me ngjyrë po angazhohen në politikë. Një numër rekord, mbi 370 gra kanë në plan të konkurrojnë për Kongres.

Katie Filipczyk Howard thotë se në përvjetorin e Marshimit të Grave, ajo dhe Hannah do të shkojnë në Uashington, do të përshkojnë trajektoren e marshimit dhe do të reklektojnë. Këtë radhë me to do të vijë edhe motra e vogël, e Hannah-s, Heidi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG