Lidhje

Italia dhe rritja e populizmit


Të rinjtë në Itali ka të ngjarë të jenë vendimtarë në përcaktimin e rezultatit të zgjedhjeve që mbahen në muajin mars. Sinjalet tregojnë se ata po u kthejnë shpinën partive kryesore.

Në vende të tjera evropiane populizmi duket sikur po zbehet, por jo në Itali, ku lëvizja “Pesë yje” e themeluar nëntë vite më parë nga komiku i kthyer në bloger Beppe Grillo, krijuar kundër klasës aktuale politike dhe e frymëzuar nga euro-skepticizmi, i ka shanset të bëhet partia më e madhe e Italisë.

Partitë e tjera populiste do të përfitojnë nga pakënaqësia e votuesve me mënyrën e të zhvillimit të zakonshëm të politikës, duke ndihmuar që të kthehet në qendër të vëmendjes politike 81-vjeçari Silvio Berluskoni, katër herë kryeministër.

Sipas sondazheve të opinionit publik lëvizja “Pesë Yje” po u bën jehonë ndjenjave anti-emigrantë që propagandohen nga e djathta tradicionale në muajt e fundit. Aktualisht “Pesë Yje” udhëheq ndaj Partisë Demokratike të qendrës së majtë, partneri kryesor në qeverinë e Paolo Gentilonit, me tre për qind më shumë.

Votuesit e rinj janë shdërruar papritmas në të rëndësishëm. Votuesit nën moshën 35 vjeçare përbëjnë vetëm 22 për qind të elektoratit dhe politikanët tradicionalisht e përqendrojnë fushatat tek më të medhenjtë. Por, sipas ligjit të ri zgjedhor që inkurajon partitë për të ndërtuar dhe garuar në koalicione, politikanët po bëjnë fushatë duke patur në fokus më shumë të rinjtë.

Lëvizja “Pesë Yje” udhëheq me katër për qind kur është fjala për votuesit nën moshën 35 vjeçare. Ajo ka zhvilluar një fushatë të fuqishme në median sociale të udhëhequr nga udhëheqësi i partisë 31-vjeçari Luigi Di Maio.

Në sondazhet e opinionit publik koalicioni i Berlusconit kryeson me rreth 34 për qind të votave, pasuar nga Lëvizja “Pesë Yje” me 27 për qind dhe Partia Demokratike në pushtet me më pak se 20 për qind.

Asnjë parti nuk pritet të fitojë e vetme shumicën parlamentare si dhe të jetë në gjendje të formojë qeverinë e vetme. As Partia Demokratike dhe as Berluskoni nuk kanë përjashtuar mundësinë për të formuar një qeveri në koalicion me lëvizjen “Pesë Yje”.

XS
SM
MD
LG