Lidhje

Aziatikët dhe ritmet e shitjes së pianove


Pianot kanë qenë diçka e zakonshme në shtëpitë amerikane për dekada me radhë. Por shitjet e tyre kanë rënë në gjithë vendin pasi më pak fëmijë mësojnë të luajnë piano. Aziatiko-amerikanët po bëhen klientë më të rëndësishëm, por a mjafton kjo për të shpëtuar dyqanet e pianove? Të paktin në njërin prej tyre, muzika do të heshtë.

Në një pasdite të zakonshme, pranë Uashingtonit, në Merilend, personeli i një dyqani për shitje pianosh të përdorura është si gjithmonë i zënë, duke riparuar piano. Pronari Nick Margaritas, me një përvojë 40 vjeçare në këtë industri është i shqetësuar për të ardhmen.

Dyqani i tij, një ndër më të mëdhenjtë në zonën e Uashingtonit, shet piano nga firma të mëdha si Steinway, Yamaha dhe Kawai. Megjithatë, ai po falimenton.

Margaritas kujton se kur ishte i ri, kjo industri ofronte mundësi të panumërta.

“Pasi u diplomova, e nxorra pianon time për shitje në gazetën lokale dhe ia shita personit të parë që erdhi. Por më kishin marrë në telefon 27 të interesuar. Ishte viti 1974”.

Më pas ai nxori një tjetër reklamë në gazetën lokale: “Dua të blej 500 piano”. Pas kësaj, ai thotë se nuk iu desh më kurrë të nxirrte reklamë sepse njerëzve u duhej të rrinin në radhë për të shitur piano të përdorura. Të tjerë zinin radhë për t’i blerë.

Por tani gjërat kanë ndryshuar.

Qeni i tij Trapper ka luajtur një rol të rëndësishëm në dyqan, duke i lejuar fëmijët të luanin me të ndërsa Margaritas dhe punonjësit e tjerë merreshin vesh me prindërit për t’i shitur pianot. Por tani vijnë më pak fëmijë.

Margaritas thotë se megjithëse industria e pianove ka pësuar rënie, tregu i aziatikëve dhe aziatiko-amerikanëve është rritur në mënyrë të ndjeshme.

Angelica Frude është 9 vjeç. Ajo filloi të mësojë piano para tre vjetësh me mësuesen Yevgeniya Oleshkevich, që ka dhënë mësime private që kur erdhi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1991.

“Prindërit aziatikë e kuptojnë sa e rëndësishme është kjë gjë. Ata nuk kursejnë për instrumentat, apo për mësimet e muzikës sepse e kuptojnë se është një investim i çmueshëm për fëmijët e tyre”.

Mamaja e Angelikës, Flora Zheng thotë se ndërsa loja e vajzës së saj është përmirësuar, ajo është më e gatshme t’i blejë një piano më të shtrenjtë.

“Duke menduar se sa shumë interes, kohë, durim dhe mund Angelica i ka kushtuar studimit në piano, ne e mbështesim pa hezitim si përsa i takon kohës ashtu edhe financiarisht. Si nënë, unë jam audienca e saj më besnike dhe përkrahëse e saj për gjithë jetën”.

Por shtimi i klientëve aziatikë nuk ka qenë i mjaftueshëm për të shpëtuar këtë dyqan, që i bashkohet shumë dyqaneve në gjithë vendit që po falimentojnë. Dhe nuk është e qartë nëse konsumatorët aziatikë mund ta ndihmojnë këtë industri në vështirësi.

XS
SM
MD
LG