Lidhje

Pikëpamjet e kandidatëve republikanë ndaj politikës së jashtme


Pikëpamjet e kandidatëve republikanë ndaj politikës së jashtme
Pikëpamjet e kandidatëve republikanë ndaj politikës së jashtme

Në politikën presidenciale në SHBA, ekonomia dhe vendet e punës pritet të dominojnë zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Por shumica e republikanëve që konkurrojnë për emërimin e partisë së tyre kanë disa pikëpamje të forta mbi politikën e jashtme dhe ata janë duke i bërë ato të njohura që në fillim të fushatës zgjedhore. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Xhim Malon njofton nga Uashingtoni.

Kandidati i fundit që hyri në garën presidenciale është guvernatori i Teksasit Rick Perry, i cili ka shërbyer si guvernator për më shumë se 10 vjet. Por, si shumica e rivalëve të tij për emërimin e Partisë Republikane, guvernatori Perry ka pak përvojë në politikën e jashtme.
Gjatë një vizite të fundit në Ajova, guvernatori Perry e bëri të qartë se ai ka pikëpamje të forta në lidhje me marrëdhëniet e SHBA me Izraelin dhe sigurinë kombëtare në përgjithësi.

“Ne do të qëndrojmë përkrah miqve tanë. Izraeli nuk ka pse të shqetësohet për pikëpamjet e mia nëse unë bëhem president i Shteteve të Bashkuara. Ne do të qëndrojmë pranë miqve tanë. Dhe nëse ju jeni armiku ynë, ne nuk do t’ju japim vetëm disa premtime boshe. Nëse ju tentoni të dëmtoni Shtetet e Bashkuara, ne do t'ju mposhtim”.

Lufta në Afganistan gjithashtu ka tërhequr vëmendjen e kandidatëve, sidomos gjatë debateve.
Republikanët për një kohë të gjatë kanë mbështetur praninë ushtarake amerikane në Afganistan, por edhe kryesuesi i garës republikane, ish guvernatori i Massachusetsit Mit Romni, mori parasysh lodhjen e publikut me luftën gjatë një debati të kohëve të fundit.

“Diku në dy vitet e ardhshme ne do të pakësojmë praninë e trupave tona dhe të arrijmë një pikë ku ushtria afgane do të jetë në gjendje të ruajë sovranitetin e vendit të tyre nga tirania e Talibanit. Kjo duhet të ndodhë”.

Irani është një temë e preferuar e disa prej kandidatëve republikanë që thonë se ai vend mbetet kërcënimi numër një ndaj Izraelit dhe një shqetësim i madh për sigurinë e Shteteve të Bashkuara.

I vetmi kandidat që qëndron larg nga kjo linjë e sulmit është kongresmeni i Teksasit Ron Pol. Kongresmeni Pol thotë se ai nuk do të vendosë sanksione ndaj Iranit edhe nëse ai ndërton armë bërthamore. Ron Pol është i vetmi konkurrent në mesin e kandidatëve republikanë që kundërshton luftën në Afganistan dhe Irak.

"Unë jam për një politikë të paqes e të tregtisë së lirë, mos të përzihemi në punët e tyre të brendshme, nuk duhet të angazhohemi në këto luftëra, dhe vetëm duhet të kthejmë trupat tona në atdhe”.

Komentet e kongremenit Ron Pol nxitën një përgjigje të fortë nga kandidati Rik Santorum, një ish-senator nga Pennsilvania.

"Kushdo që mbështet idenë se Irani nuk është kërcënim për këtë vend, ose nuk është një kërcënim për stabilitetin në Lindjen e Mesme nuk është duke e parë botën me mendje të kthjellët. Ai e sheh atë pikërisht ashtu siç e sheh atë Barak Obama”.

Analistët politikë thonë se megjithëse ka të ngjarë që fushata do të dominohet nga çështjet ekonomike në vend, ngjarjet jashtë vendit, sidomos ngjarjet e papritura, mund të ketë një ndikim në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Anketat e opinionit publik tregojnë se amerikanët në përgjithësi kanë më shumë besim në aftësinë e Presidentit Obama për të trajtuar çështjet e politikës së jashtme se sa ekonominë, një tjetër arsye pse kandidatët republikanë ka të ngjarë të përqëndrohen në linjat e tyre të kritikave tek problemi i papunësisë dhe çështjeve të tjera ekonomike.

XS
SM
MD
LG