Lidhje

Gjykimi i pilotes ukrainase


Një gjykatë ruse shpalli fajtore një pilote ukrainase për bashkëpunim në vrasjen e dy gazetarëve rus në lindje të Ukrainës. Nadezhda Savchenko shërbente në një batalion vullnetarësh kundër rebelëve të mbështetur nga Rusia kur u kap nga separatistët në korrik të vitit 2014.

Një gjykatë ruse dënoi sot piloten ukrainase Nadezhda Savchenko me 22 vjet burg pasi e shpalli fajtore për bashkëpunim në vrasjen e dy gazetarëve rusë gjatë konfliktit separatist në Ukrainën lindore. 34-vjeçarja Savchenko e cila është bërë heroinë kombëtare në Ukrainë, sfidoi gjykatësin gjatë leximit të vendimit duke kënduar me zë të lartë një këngë ukrainase dhe duke e detyruar gjykatësin Leonid Stepanenko të kërkonte një ndërprerje të shkurtër të seancës.

Savchenko u kap nga rebelët pro-rusë në lindje të Ukrainës në qershor të vitit 2014 gjatë konfliktit separatist atje dhe iu dorëzua Rusisë ku u akuzua se drejtoi bombardimin që vrau dy gazetarët rusë.

Ajo i ka mohuar akuzat dhe ka shprehur hapur pikëpamjet e saj se është viktimë e një gjykimi teatral për të poshtëruar Ukrainën.

Zyrtarët rusë kanë sinjalizuar se kur gjykimi të përfundojë ata mund të jenë të hapur për negociata për t’ja dorëzuar Savchenkon në Ukrainë, si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve.

XS
SM
MD
LG