Lidhje

Policia italiane shpëton 11 imigrantë


Policia financiare italiane ka publikuar sot pamjet filmike ku paraqiten përpjekjet e saj gjatë natës për të shpëtuar 11 migrantë të Afrikës veriore në kanalin e Siçilisë. Operacioni i shpëtimit të tyre u krye të dielën, rreth 20 milje në veri perëndim të ishullit të vogël të Pantelerias i cili shtrihet mes Siçilisë dhe Tunizisë.

Filmimet tregojnë imigrantët që ishin kapur mbas një gomoneje gjysëm të përmbysur e më pas teksa notonin drejt anijes së policisë.

Dy prej imigrantëve iu nënshtruan ndërhyrjeve të menjëherëshme mjekësore në ishullin e Pantelerias. Besohet se grupi i imigrantëve vinte nga Libia dhe kishin mbetur në det për tre ditë përpara se të viheshin re nga një anije transporti.

Policia tha se ende është i nevojshëm verifikimi i informacioneve në lidhje me ta.
Javën e kaluar roja bregdetare italiane shpëtoi 56 migrantë në ishullin e vogël të Lampiones, edhe ky në kanalin e Siçilisë.

Në vitin 2012, dhjetra mijëra refugjatë dhe të tjerë që dëshironin të migronin në Itali, mbërritën në Lampedusa gjatë revoltave të Pranverës Arabe në Afrikën e Veriut.

Dyndja e të ardhurve ka rënë disi këtë vit mbas rrëzimit të regjimeve në Libi dhe Tunizi.
Italia është përballur me goditjen më të madhe të valës së migrimit në Europën Jugore i cili ka patur ulej ngritje gjatë këtyre viteve.

Shumica e migrantëve ndërrmarin udhëtime të rrezikshme në detin Mesdhe me anije të vogla e të papërshtatshme, e një pjesë e tyre kanë humbur jetën si pasojë e mbytjeve të gomoneve, kushteve të vështira të detit apo nga mungesa e ujit dhe ushqimit.

XS
SM
MD
LG