Lidhje

Politika e jashtme e Gorbaçovit dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik


Politika e jashtme e Gorbaçovit dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik
Politika e jashtme e Gorbaçovit dhe shpërbërja e Bashkimit Sovjetik

Ky muaj shënon 20 vjetorin e rënies së Bashkimit Sovjetik. Por si ndikuan vendimet e politikës së jashtme të udhëheqësit të fundit sovjetik në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik? Korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera ka përgatitur kronikën në vazhdim.

Mikail Gorbaçov u zgjodh President i Bashkimit Sovjetik në fillimin e vitit 1985 dhe ai ishte përfaqësues i një brezi të ri udhëheqësish.

Ja si shprehet ish-ambasadori amerikan në Moskë, Thomas Pickering.

“Kemi rastin e vizitës së famshme të ish-Kryeministres britanike, Margaret Thaçer, e cila ndodhi shpejt. U njoftua se ajo i kishte thënë Presidentit amerikan Ronald Regan: “Ky është një person me të cilin ne mund të bashkëpunojmë.”

Analistët thonë se zoti Gorbaçov e kuptoi se Bashkimi Sovjetik nuk mund të vazhdonte të përdorte forcën ushtarake për të rritur ndikimin e tij në botë. Ai e kuptoi se ushtria duhej të pakësonte praninë e saj në disa zona.

Një nga ato zona ishte Afganistani, ku trupat sovjetike kishin luftuar me kryengritësit muxhahedinë që prej dhjetorit të vitit 1979.

Ambasadori Pickering thotë se vendimi i zotit Gorbaçov për tërheqjen e trupave sovjetike i dërgoi botës mesazhin se Bashkimi Sovjetik kishte dështuar.

“Mendoj se zoti Gorbaçov na tregoi edhe ne, ose duhet të na kishte treguar, se përdorimi i zgjidhjeve ushtarake për problemet diplomatike nuk jep gjithmonë rezultatet e dëshiruara.”

Ushtari i fundit sovjetik u tërhoq nga Afganistani më 15 shkurt 1989.

Analistët e politikave të jashtme thonë se vendimet e zotit Gorbaçov patën gjithashtu efekte dramatike në Evropën Lindore, ku popujt po kërkonin t’i jepej fund regjimit komunist. Zoti Gorbaçov e bëri të qartë se ai nuk do të ndërhynte ushtarakisht për të ndalur kërkesat për pavarësi kombëtare.

“Udhëheqësit sovjetikë ishin ngurrues ndaj idesë së një tjetër ndërhyrjeje të gjerë ushtarake për t’i imponuar Evropës Lindore idealet dhe regjimin komunist.”

Rënia e murit të Berlinit, në nëntorin e vitit 1989, ishte kryesisht pasojë e politikës së mosndërhyrjes së zotit Gorbaçov.

Dhe Ambasadori Pickering thotë se ngjarjet në Evropën Lindore patën pasoja të mëtejshme.

“Ishte e mrekullueshme se si ato çuan në dyert e vetë Bashkimit Sovjetik dhe ndihmuan, në fakt, pavarësinë e 15 republikave, të cilat në një mënyrë apo një tjetër ishin gati të ndaheshin prej Bashkimit Sovjetik.”

Në tetorin e vitit 1990, zoti Gorbaçov mori çmimin Nobel për Paqen. 14 muaj më vonë ai dha dorëheqjen nga posit i Presidentit të Bashkimit Sovjetik dhe analistët thonë se kjo ndodhi për shkak të forcave që ai liroi por të cilat nuk mundi t’i mbante nën kontroll.

Ish-këshilltari për sigurinë kombëtare Gjenerali Brent Scowcroft thotë se kontributi i zotit Gorbaçov ishte vetë fundi i Bashkimit Sovjetik dhe sistemit komunist.

“Kjo sepse nëse ai do të kishte qenë një tip tjetër, si për shembull një tjetër Leonidha Brezhnjev, sistemi mund të kishte vazhduar të ekzistonte më gjatë. Mendoj se Bashkimi Sovjetik dhe sistemi komunist do të shembeshin në një moment, por mund të mos kishte ndodhur kur në të vërtetë ndodhi.”

Është interesant fakti që edhe pse perëndimi e konsideron hero zotin Gorbaçov për përfundimin e sistemit komunist, në vendin e tij ai kritikohet për të njëjtën arsye.

XS
SM
MD
LG