Lidhje

Polonia përgatitet për vizitën e Presidentit Trump


Presidenti Trump u nis sot për në Poloni ku do të takohet me udhëheqës të Evropës Lindore para se të mbajë një fjalim në qendër të Varshavës nesër. Shtëpia e Bardhë thotë se presidenti do të ritheksojë angazhimin ndaj NATO-s, por gjithashtu do të përsëri kërkesën që të gjitha vendet anëtare të kontribuojnë sa u takon për shpenzimet e mbrojtjes. Shumë polakë shprehin shqetësim për agresion rus drejt lindjes, dhe ushqejnë shpresa që Shtetet e Bashkuara të ofrojnë garanci konkrete në këtë klimë të ngarkuar:

Pranë podiumit ku do të flasë Presidenti Trump në Sheshin Krasinski, ngrihen statujat e dy heronjve polakë të Luftës II Botërore. Lëvizja polake e rezistencës organizoi një kryengritje heroike, por të pasuksesshme kundër pushtuesve nazistë.

“Jemi shumë të gëzuar që Presidenti i Amerikës po na viziton këtu në Poloni. Sidomos në këtë pallat, pasi ky është një vend historik, shumë i rëndësishëm për polakët dhe për qytetarët e Varshavës,” thotë një banor.

Shumë polakë mirëpresin forcimin e lidhjeve me Shtetet e Bashkuara.

“Në Varshëvë, ku qyteti u shkatërrua gjatë Luftës II Botërore, shqetësimet për sigurinë janë shumë të mëdha. Ne jemi ngjitur me një Rusi agresive,” thotë Marcin Zaborowski i portalit mediatik “Visegrad Insight”.

Kjo afërsi gjeografike e bën Poloninë të varur tek garancitë e sigurisë që ofron NATO-ja.

“Mendoj se shumica e njerëzve duan të dëgjojnë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë praninë ushtarake në Poloni, se do të respektojnë Nenin 5 Aleancës, që nënkupton se do të na ndihmojnë ushtarakisht po qe nevoja,” thotë Zbigniew Lewicki i Universitetit të Varshavës.

Siguria ekonomike është gjithashtu prioritet në këtë turne. Presidenti Trump do të marrë pjesë në Takimin e Nismës së Tre Deteve, që synon të rrisë pavarësinë energjetike. Polonia shpreson të bëhet qendër e shpërndarjes së gazit natyror të lëngëzuar që importohet nga Shtetet e Bashkuara.

“Aktualisht marrim shumë gaz nga Rusia, nga Gazpromi. Ata e shfrytëzojnë këtë për të bërë ne dhe Ukrainës shantazh,” thotë Profesor Lewicki.

Disa thonë se administrata Trump ka shumë ngjashmëri me qeverinë polake. Por të tjerë shqetësohen se vizita mund të thellojë përçarjet mes Evropës Perëndimore dhe Evropës Lindore:

“Ta zëmë se zoti Trump i konsideron disa evropianë, si polakët, si më të mirë se evropianë të tjerë si francezët dhe gjermanët me të cilët nuk shkon mirë, por kjo nuk është në interes të askujt,” thotë zoti Zaborowski.

Sot para ambasadës amerikane në Varshavë grupe opozitare po përgatiteshin për protesta kundër vizitës së Presidentit Trump:

“Nuk jemi dakord me këtë sjellje shoviniste, apo me vendimin e tij për t’u tërhequr nga Marrëveshja e Parisit që synon të mbrojë planetin tonë,” thotë një aktiviste e partisë “Së Bashku”.

Aktivistët bëjnë përgatitjet e fundit për protesta.

Përgatitje po bëjnë edhe autoritetet për prezantimin e Presidentit Trump në Sheshin Krasinski, ku ai do të mbajë fjalimin e tij të parë të rëndësishëm në kontinentin evropian.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG