Lidhje

Ngjarjet e Pompeit rikthehen përmes një ekspozite


Një prej fatkeqësive natyrore më të rënda të regjistruara në historinë njerëzore, shkatërrimi i Pompeit nga një vullkan thuajse 2 mijë vjet më pare, shpesh ka qënë edhe subjekt i filamve të Hollivudit. Por tani, siç njofton korrespondenti ynë në Los Angeles, Mike O’Sullivan, Qendra Shkencore e Kalifornisë po paraqet historinë dhe shkencën që fshihet pas tragjedisë.

Mali i Vezuvit shpërtheu më 24 gusht të vitit 79. Vizitorët në Qendrën Shkencore të Kalifornisë mund të shohin tani një film të animuar që ringjall tragjedinë.

Katastrofa është rikrijuar shumë herë në ekrane, siç është ky film italian i vitit 1913 i vënë në YouTube.

Po ashtu filmi epik Pompei, i këtij viti, në Hollivud.

Arkeologu Kenneth Lapatin thotë se hiri i nxehtë ruajti format e jashtme të viktimave, si dhe shumë sende të përditshme të përdorura prej tyre.

“Në Romë ne shikojmë pamjet e jashtme të ndërtesave madhështore. Pompei na jep atë që nuk gjendet në letërsi, na jep të përditshmen, jetën e thjeshtë, si ka qënë. ”

Përfshi këtu monedha dhe punime arti, vegla pune apo enë gatimi.

Pompei ishte një qytet i vogël tregëtar larg qendrave të njohura romake dhe pranë vendpushimit mesdhetar Herculaneum. Që të dy qendrat u varrosën nga vullkani. Diane Perlov me Qendrën Shkencore të Kalifornisë thotë se ato janë shumë magjepsëse.

“Ishte jetë luksi që u fshi nga faqja e dheut. Është një histori shumë mitologjike.”

Filmi Pompei i dalë në shkurt, solli për publikun një përzjerje faktesh dhe trukesh artistike, thotë Kenneth Lapatin.

“Filmi i fundit e tregon shumë mirë topografinë urbane. Ajo u ndërtua me kompjuter pas fluturimeve mbi qytet. Vullkani tregohet mjaft mirë si dhe gazet dhe retë apo rrëshqitjet e dheut, por nuk kishin shumë llavë. Po të kishte shumë llavë, viktimat dhe sendet nuk do të ishin ruajtur, por do të ishin djegur dhe shkatërruar.”

Filmi tregon anën shkencore si dhe një pamje në jetën e përditshme të këtyre romakëve të lashtë, paisjeve mjekësore, veprave të artit si dhe armët dhe mburojat e përdorura nga gladiatorët. Muzeumi Arkeologjik Kombëtar i Napolit ka huazuar 150 sende nga ajo kohë. Jeff Rudolp është president i Qendrës Shkencore të Kalifornisë.

“Forcat e natyrës kanë fuqi të pabesueshme dhe kemi mësuar të jetojmë me to pavarësisht pasojave katastrofike.”

Pompei u rigjet në shekullin e 18 i mbuluar nga hiri. Imazhe të frikshme që depërtojnë përtej artit të vetvetes. Fytyrat nga e kaluara thonë shumë për vizitorët modernë, thotë Kenneth Lapatin.

“Shohim veten tonë në të shkuarën ndaj kjo është arsyeja se pse pas 250 vjetësh që nga rigjetja, Pompei gëzon popullaritet dhe ekspozita të tilla janë shumë emocionuese.”

Kjo është arsyeja që drama e Pompeit ende na intrigon.
XS
SM
MD
LG