Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo u përpoq të sigurojë aleatët se Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara në Lindjen e Mesme, megjithë planet e Presidentit Donald Trump për të tërhequr forcat nga Siria.
Ai i bëri komentet në një fjalim në Universitetin Amerikan të Kairos. Zoti Pompeo hodhi poshtë vizionin për Lindjen e Mesme të ish-Presidentit Obama, i cili në vitin 2009 mbajti në një fjalim drejtuar botës myslimane gjatë një vizite në Egjipt.
Zoti Pompeo, i cili shkoi në Egjipt të mërkurën vonë, ndalesa e tij e tretë e një turneu në rajon, do të mbajë një fjalim në Kajro për të paraqitur strategjinë e Uashingtonit në Lindjen e Mesme. Fjalimi pritet të përqëndrohet te vazhdimi i luftës kundër Shtetit Islamik dhe përpjekjet kundër zgjerimit të ndikimit iranian.
Duke folur në një konferencë shtypi pas bisedimeve me ministrin e jashtëm egjiptian Sameh Shoukry, zoti Pompeo vlerësoi "përpjekjet e fuqishme të presidentit egjiptian Abdel Fattah al-Sisi për të luftuar kërcënimin e terrorizmit si dhe islamizmin radikal që e ushqen atë".
Zoti Pompeo u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara nën Presidentin Trump do të mbeten një partner i palëkundur me Egjiptin dhe të tjerët në rajon." Ai tha se SHBA i bëjnë thirrje çdo vendi të ndërmarrë veprime domethënëse për të goditur terrorizmin dhe për të denoncuar rrënjët e tij ideologjike".
Sekretari Pompeo është duke vizituar rajonin për të shpjeguar strategjinë amerikane pas njoftimit të befasishëm të Presidentit Trump muajin e kaluar për një tërheqje të të 2 mijë trupave amerikane nga Siria, vendim që tronditi aleatët dhe kapi në befasi zyrtarët më të lartë të SHBA, duke çuar në largimin e sekretarit të Mbrojtjes Jim Mattis.
Facebook Forum