Lidhje

Përplasja e Sekretarit Pompeo me gazetaren, dërgon mesazh kundërthënës për lirinë e shtypit


Një intervistë e tensionuar e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo me radion amerikane NPR dhe reagimi i mëtejshëm që duket të jetë bërë në shenjë hakmarrjeje, “nuk është mënyra se si duhet të sillet një demokraci”, tha të mërkurën një ekspert i një organizate për mbrojtjen e lirisë së shtypit për etikën në gazetari .

Javën e kaluar, zoti Pompeo ndërpreu një intervistë me gazetaren e Radios Publike Kombëtare (NPR), Mary Louise Kelly kur ajo e ndryshoi temën e pyetjeve nga Irani tek Ukraina dhe sfidoi pretendimin e Sekretarit të Shtetit, se ai e kishte mbështetur ish-ambasadoren amerikane në Ukrainë, Marie Yovanovitch.

Gazetarja Kelly, u thirr më pas në një takim privat me zotin Pompeo ku ajo tha se ai “i kishte bërtitur për një kohë po aq të gjatë sa ç’ishte intervista vetë.” Ajo tha se ishte bërë objekt i një vale sulmesh të ashpra dhe sharjesh nga ana e zotit Pompeo, për shkak të pyetjeve të saj për Ukrainën dhe u sfidua të gjente Ukrainën në hartë.

Ky shkëmbim ngjalli shqetësime lidhur me sulmet ndaj medias, nën presidentin Donald Trump.

“Sipas gjykimit tim është një lëvizje amatore dhe fëmijërore”, tha Al Tompkins, pedagog i etikës së gazetarisë në Institutin Poynter, një organizatë për mbrojtjen e lirisë së shtypit.

Gazetarja Mary Louise Kelly
Gazetarja Mary Louise Kelly

Zonja Kelly shkruante të mërkurën në gazetën “The New York Times” se roli i gazetarëve për t’i vënë njerëzit me pushtet përpara përgjegjësisë në demokraci, është njëkohësisht “privilegj dhe përgjegjësi."

Të martën Departamenti i Shtetit, nuk i dha rëndësi ndikimit të fokusit të medias tek intervista e tensionuar, ndërsa zoti Pompeo nisej në një udhëtim në Britani, Ukrainë, Bjellorusi dhe Azinë Qendrore.

Ambasadorja e shkarkuar Yovanovitch, është një figurë qendrore në gjyqin e shkarkimit të zotit Trump, ku ligjvënësit demokratë që luajnë rolin e prokurorëve e akuzojnë atë se abuzoi me pushtetin presidencial duke e kushtëzuar ndihmën ushtarake për Kievin me informacion komprometues për ish-nënpresidentin amerikan, Joe Biden, një nga kandidatët demokratë për President.

Pretendime të hedhura poshtë

Sekretari Pompeo më pas lëshoi një deklaratë, ku thuhej se gazetarja kishte gënjyer për intervistën që duhej të ishte vetëm për Iranin, si edhe u ankua që biseda pas intervistës duhej të ishte “off the record.” Por deklarata e tij nuk e kundërshtonte atë që tha gazetarja Kelly për takimin privat.

Kelly nga ana e saj, bëri publike emaile të mëparshme që i kishte dërguar sekretares së shtypit të zotit Pompeo, ku radhiteshin Ukraina dhe Irani, si tema interviste. Ajo gjithashtu e hodhi poshtë pretendimin e Departamentit të Shtetit se ishte rënë dakord që takimi privat, ishte vetëm për konsum të brendshëm.

Edhe zoti Tomkins ngriti pikëpyetje për pohimin e zotit Pompeo se takimi i tij privat me një gazetare, nuk ishte për publikim.

“Shumë gazetarë janë tepër të përmbajtur për të pranuar që të mos publikojnë diçka që thotë Sekretari i Shtetit. Nuk po them që nuk ndodh kurrë, por po them që shumë rrallë ndodh që të pranosh që ‘çfarëdo që të më thuash, nuk do ta përsëris’”, tha ai.

Akuza për hakmarrje

Pas incidentit, Departamenti i Shtetit, e përjashtoi gazetaren e NPR-it, Michele Kelemen nga grupi i gazetarëve që do të shoqëronin Sekretarin Pompeo në udhëtim.

Presidenti i NPR-it, John Lansing i shkruante zotit Pompeo të martën, duke i kërkuar një sqarim, se pse ajo ishte përjashtuar nga udhëtimi. Zoti Lansing tha se nuk kishte marrë përgjigje.

Shoqata e Korrespondentëve të Departamentit të Shtetit, e kritikoi përjashtimin e gazetares Kelemen duke e quajtur “hakmarrje për intervistën e koleges së saj”.

Edhe Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë i bëri thirrje Departamentit të Shtetit që ta kthente mbrapsht atë që ajo e quajti “vendim të gabuar”, që të ndalohej gazetarja e NPR-it nga udhëtimi.

Zoti Tompkins tha se është i shqetësuar se përpjekjet e administratës për të kufizuar dhe kontrolluar median brenda vendit, mund t’i japin më shumë krahë qeverive autoritare për të censuruar median dhe për të burgosur gazetarët, pa u ndëshkuar.

“Ka një reaksion zinxhir kur presidenti i Shteteve të Bashkuara, Sekretari i Shtetit, veprojnë në këtë mënyrë. Inkurajon ata që janë nç vende të tjera, që kanë më pak liri, që të imponojnë edhe më shumë kufizime”, tha ai.

'Armik i popullit'

Presidenti Trump e vlerësoi zotin Pompeo të martën për mënyrën se si e kishte menaxhuar intervistën me NPR-in, duke thënë me të qeshur se ai (Pompeo) “bëri një punë shumë të mirë me të në fakt”.

Zoti Trump vazhdimisht ka sulmuar organe mediash për raportime kritike ndaj administratës dhe politikave të tij. Ai e ka futur në fjalor shprehjen "fake news”, “lajme të rreme”. Ai ka quajtur median “armikun e popullit”, duke akuzuar gazetën New York Times për tradhëti dhe duke sugjeruar se gazetarët e Washington Postit, as “nuk duhen lejuar në territorin e Shtëpisë së Bardhë”.

Avokatët e lirisë së shtypit thonë se këto sulme, sabotojnë besimin e publikut tek gazetaria.

Presidenti postoi gjithtu në llogarinë e tij në Twitter, një mesazh të një kritiku konservator që vinte në pikëpyetje nevojën e financimit të NPR-it nga qeveria amerikane.

Ligjvënësit konservatorë janë përpjekur në të kaluarën që t’i heqin fondet NPR-it, një organizatë mediatike jofitimprurëse që transmeton përmes mbi 1 mijë stacioneve radioje në Shtetet e Bashkuara. NPR tha se vetëm 2 për qind e të ardhurave të saj janë fonde federale, ndërsa stacionet anëtare të saj shpesh mbështeten në grante të shtetit dhe federale.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG