Kandidati i Presidentit Donald Trump për sekretar shteti, Drejtori i CIA-s, Mike Pompeo, u përball me pyetje të forta lidhur me hetimet mbi Rusinë, marrëdhëniet e tij me presidentin si dhe vatrat e nxehta të globit gjatë seancës për konfirmimin e kandidaturës së tij të enjten para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.
“Nuk do të flas për bisedat që kam bërë me presidentin," tha zoti Pompeo në përgjigje të pyetjes nga anëtari më i lartë demokrat i komisionit, Robert Menendez, lidhur me përçmimin shumë të përfolur që ka presidenti për ish-drejtorin e FBI-së James Comey si dhe për hetuesin special, Robert Mueller.
“Unë flas shumë me presidentin, por kurrë nuk më ka kërkuar të bëj ndonjë gjë që do ta konsideroja ndopak të parregullt," tha zoti Pompeo.
Senatorë të të dyja partive theksuan nevojën që sekretari i Shtetit të jetë në gjendje të operojë në relata shpesh të trazuara me Shtëpinë e Bardhë dhe të jetë në gjendje t'i bëjë rezistencë presidentit kur është e nevojshme.
“Ju keni krijuar një marrëdhënie të ngushtë me presidentin... shumë individë me pikëpamje të palëkundura janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqjen," tha kryetari i komisionit, republikani Bob Corker.
“Populli amerikan është shumë i shqetësuar nga një president që manifeston qëndrime jo të përgjegjshme, si një fëmijë shkolle, kur kundërpërgjigjet për luftën bërthamore," tha Senatori Menendez. "A do të jeni ju zëri i logjikës në administratën Trump apo do ta mbështesni presidentin edhe kur dëshmon instiktet e tij më të këqija?"
Zoti Pompeo u përgjigj duke folur për të kaluarën si oficer në ushtri. "Ma merr mendja i keni dëgjuar historitë, apo karakterizimin për mua se i përkas vijës së ashpër. Por askush nuk e kupton vlerën e diplomacisë si dhe tmerrin dhe tragjedinë që përbën lufta, më mirë se një person që ka veshur uniformën ushtarake. Rezultatet më të mira gjinden gjithmonë në tryezën e negociatave diplomatike".
Zoti Pompeo shtoi gjithashtu se nuk ushqen iluzione lidhur me synimet e Rusisë si kundërshtare e Amerikës.
“Nuk ma kalon njeri kur është fjala tek bindja ime se çfarë kërcënimi paraqet për Amerikën Rusia. Kjo administratë do të vazhdojë të ndërmarrë veprime reale për t'iu kundërpërgjigjur Moskës," tha zoti Pompeo.
Gjatë kohës kur ishte anëtar i Kongresit, Mike Pompeo ishte kundër marrëveshjes bërthamore me Iranin që u nënshkrua gjatë administratës Obama.
Me përjashtim të senatorit Rand Paul nga Kentaki, senatorët republikanë pritet ta mbështesin kandidaturën e zotit Pompeo. Pjesa më e madhe e demokratëve nuk janë prononcuar, por disa kanë shprehur shqetësim për këtë kandidaturë pasi zoti Pompeo shihet si përfaqësues i vijës së ashpër në politikën e jashtme.
Kandidati i Presidentit Trump për Sekretar i Shtetit, Mike Pompeo, tha në seancën për konfirmimin e kandidaturës së tij se nuk ka arsye që ai të konsiderohet si pasues i vijës së ashpër.
Po ashtu, zoti Pompeo tha se do të mbushë postet e shumta diplomatike e zyrtare që kanë mbetur bosh që nga ardhja e administratës Trump, gjatë kohës kur ishte sekretar shteti Rex Tillerson.
Presidenti Trump e emëroi zotin Pompeo për postin e shefit të diplomacisë, pasi shkarkoi nga ky post Rex Tillersonin muajin e kaluar. Zoti Tillerson pati një marrëdhënie të trazuar me presidentin dhe ka pasur përplasje edhe me pjesëtarë të personelit të Shtëpisë së Bardhë.
Mike Pompeo, ish-ligjvënës konservator i lëvizjes Tea Party, ka krijuar një marrëdhënie të ngushtë me presidentin dhe shihet si një prej pasuesve më të zjarrtë të qëndrimit të presidentit “Amerika në plan të parë”.
Sot presidenti postoi një koment në Twitter ku thoshte: Mike Pompeo do të jetë një sekretar shteti i shkëlqyer.
Ariel Cohen i Këshillit të Atlantikut thotë “Mendoj se Pompeo është shumë më tepër përfaqësues i vijës së ashpër, shumë më tepër Trumpist, shumë më tepër entuziast i kësaj vale të re të nacionalizmit që po shohim në Amerikë dhe në gjithë botën”.
Pompeo ka qenë shumë më kritik se sa presidenti ndaj ndërhyrjeve të Rusisë në zgjedhjet e 2016.
Tensionet SHBA-Rusi u shkallëzuan javën e kaluar pasi, siç besohet, qeveria siriane ndërmori sulme me gaz kimik ndaj civilëve. Moska dhe Damasku këmbëngulin se qeveria siriane nuk kishte rol në këtë sulm.
Facebook Forum