Lidhje

Pompeo viziton Londrën pas Bagdatit, diskuton për Iranin


Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo vizitoi Londrën të mërkurën pas deklaratave të Iranit se nuk do t’u përmbahej më disa pjesëve të marrëveshjes bërthamore nga e cila Shtetet e Bashkuara u tërhoqën pikërisht një vit më parë.

Marrëveshja kufizon aftësinë e Iranit për prodhimin e lëndës djegëse bërthamore për 15 vjet.

Zoti Pompeo diskutoi mbi Iranin me Kryeministren britanike Theresa May dhe me sekretarin e jashtëm Jeremy Hunt. Në axhendë ishte edhe propozimi për një 'marrëdhënie të veçantë' mes dy aleatëve pasi Britania të jetë tërhequr nga Bashkimi Evropian.

Zoti Pompeo shkoi në Londër, pas anulimit të një udhëtimi në Gjermani për të bërë një vizitë të panjoftuar në Bagdad, ku ai paralajmëroi zyrtarët irakianë të mos ndërmarrin sulme kundër interesave amerikane në Lindjen e Mesme.

Vizita vjen në klimën e tensioneve në rritje me Iranin pas njoftimeve të zbulimit se Teherani ka dislokuar me anije raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në ujërat pranë brigjeve të tij.

"Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë interesat e tyre kudo që të jenë dhe ne gjithmonë do të sigurohemi që të kemi një strukturë force që besojmë se mund ta arrijë këtë qëllim. Pra, vizita ime dhe veprimet e ndërmarra nga Departamenti i Mbrojtjes, mesazhi që u kemi dërguar iranianëve, shpresoj se na e bën të mundur t’i dalim përpara kësaj dhe iranianët do të mendohen dy herë para se të sulojnë interesat amerikane", tha zoti Pompeo.

Zyrtarët e SHBA gjithashtu po e shpejtojnë lëvizjen e aeroplanmbajtëses Abraham Lincoln së bashku me grupin e saj goditës nga ujërat evropiane për në Detin Arabik, si dhe dislokimin e një bombarduesi strategjik B-52 në përgjigje të kërcënimit të mundshëm iranian.

Administrata Trump po punon për atë që ajo e quan një "fushatë maksimale trysnie" ndaj Iranit, në mënyrë që Teherani të ndryshojë sjellje, siç është mbështetja e grupeve terroriste dhe zbatimi i asaj që Shtëpia e Bardhë e quan një program raketash balistike që kërcënon Shtetet e Bashkuara.

Ndërkaq, Presidenti iranian Hassan Rouhani njoftoi të mërkurën se nuk do t’u përmbahet më dy pjesëve të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, nga e cila Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump u tërhoq vitin e kaluar.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif tha të mërkurën në Moskë se tërheqja e Uashingtonit dhe rivendosja e sanksioneve ndaj Iranit e ka bërë të pamundur që Teherani të vazhdojë respektimin e marrëveshjes:

"Shtetet e Bashkuara jo vetëm që e bënë vetë, por u bënë pengesë edhe për të tjerët, që dëshironin ta zbatonin rezolutën e Këshillit të Sigurimit,” tha ministri iranian.

Administrata Trump, megjithatë, vazhdon të kërkojë që Teherani të respektojë zotimet e veta.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG