Lidhje

SHBA, shqetësime për aktivitetin bërthamor në Korenë e Veriut


Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo ndodhet në Malajzi, ndalesa e parë e një turneu aziatik që pritet të përqëndrohet në nxitjen e tregtisë së lirë si dhe të ushtrohet presion ndaj Koresë së Veriut për të hequr dorë nga armët bërthamore.

"Kemi shqetësime se Koreja e Veriut nuk po përmbush detyrimet e saj", tha një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit që udhëtonte me zotin Pompeo.

Që kur Presidenti Donald Trump u takua me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un në qershor, zyrtarët amerikanë janë shprehur me optimizëm se Pheniani do të heqë dorë nga armët bërthamore, megjithëse nuk ka prova se Koreja e Veriut e ka filluar këtë proces.

Shqetësimet rreth aktivitetit bërthamor dhe raketor në Korenë e Veriut u rritën pasi gazeta “The Washington Post” njoftoi të martën se zyrtarët e zbulimit amerikan besojnë se Pheniani po vazhdon të ndërtojë raketa të reja, në të njëjtin objekt, që përdorte për të ndërtuar raketa ndërkontinentale, të afta për të arritur në bregun lindor të Shteteve të Bashkuara.

Koreja e Veriut pritet të jetë një temë e rëndësishme në takimet e zotit Pompeo me homologët e tij në Forumin e Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) që mbahet në Singapor më vonë gjatë kësaj jave. Sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit, gjatë forumit zoti Pompeo do t’u bëjë thirrje vendeve për ta mbajtur Phenianin "në linjë" me sanksionet.

Zoti Pompeo pritet gjithashtu të diskutojë konfliktet në Detin e Kinës Jugore, krizën e pakicës Rohinga në shtetin Rakhine në Myanmar dhe sigurinë kibernetike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG