Lidhje

Papa, takim botëror lidhur me abuzimet seksuale të klerit katolik


Papa Françesku pritet të takohet në muajin shkurt me peshkopët e lartë katolikë nga e gjithë bota, për të diskutuar rreth skandalit në rritje që ka përfshirë klerikët e kishës katolike, lidhur me sulme seksuale ndaj të miturve dhe mbulimin e akuzave për vite të tëra.

Vatikani njoftoi të mërkurën se krerët e konferencave kombëtare të peshkopëve katolikë do të takohen me Papën prej datës 21 shkurt deri në 24. Mbledhja e më shumë se 100 udhëheqësve të kishës, mendohet të jetë e para e këtij lloji dhe një miratim i asaj se zyrtarët e lartë të kishës e shohin skandalin e abuzimit seksual si një problem botëror.

Aktualisht kisha po përballet me skandale abuzimi në Shtetet e Bashkuara, Kili, Australi, Gjermani dhe në vende të tjera.

Ndërkohë të enjten Papa Françesku pritet të takohet me udhëheqësit e kishës katolike amerikane për të diskutuar rreth skandalit të abuzimit seksual në Shtetet e Bashkuara dhe mbulimin e akuzave të bëra ndër vite kundër qindra priftërinjve.

Takimi me Papa Françeskun vjen ndërsa ish-ambasadori i Vatikanit, Carlo Maria Vigano ka bërë thirrje që Papa të japë dorëheqjen, pas akuzave se ai ishte në dijeni vite më parë të informacioneve të besueshme se kryepeshkopi Theodore McCarrick i Uashingtonit kishte abuzuar me një adoleshent të altarit në vitet 1970 dhe priftërinj të rinj, por nuk e ballafaqoi McCarrick-un me akuzat. Në muajin korrik Papa Françesku e largoi kryepeshkopin McCarrick nga detyra e kardinalit.

Kisha katolike amerikane është tronditur nga akuzat e bëra ndër viti se priftërinjtë kanë abuzuar me fëmijë të vegjël brenda famullive të tyre. Edhe pse ishin në dijeni të këtyre akteve udhëheqësit e lartë të kishës i kanë mbuluar shpesh ato, duke i mbrojtur priftërinjtë nga përballja me akuza penale.

Kohët e fundit, një juri e madhe në shtetin lindor të Pensilvanisë akuzoi më shumë se 300 priftërinj të famullisë së këtij shteti, për abuzim seksual me të paktën 1 mijë të rinj, përgjatë një periudhe 70 vjeçare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG