Lidhje

Drejtimi që do të marrë populizmi në Evropë në vitin 2019


Forcat populiste u kthyen fuqishëm në Evropë në vitin 2018, duke marrë pushtetin në Itali dhe duke u konsoliduar në vende si Hungaria dhe Polonia. Në Francë, protestat nëpër rrugë shpërthyen me kërkesa për dorëheqjen e presidentit. Vala populiste mund të ketë implikime të mëdha në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, të parashikuara për vitin 2019 ku forcat centriste përballen me sulme si nga e djathta, ashtu edhe e majta.

Në fund të vitit 2018, populzimi në Evropë ka një ngjyrë të re: të verdhë.

Lëvizja e “jelekëve të verdhë” shpërtheu në Francë, si protestë kundër taksave për karburantin dhe u shndërrua në demonstrata në gjithë vendin.

“Bëhet fjalë për njerëz të vërtetë, jo njerëz që shtiren sikur janë diçka që nuk janë”, thotë Jean-Francois, një protestues.

Presidenti Emmanuel Macron, që dikur shihej si njeriu që frenoi marshimin e populizmit, u tërhoq duke shtyrë ngritjen e taksave.

Ç’do të thotë kjo? Që populizmi është kthyer në forcë politike.

“2018-a ishte viti i rikthimit të valës. Unë mendoj se ishte gabim të besohej se vala ishte ndalur. Në fakt thjesht ishte fshehur pas Macronit”, thotë Grégory Claeys, i Institutit Bruegel për Politika.

Por populizmi I 2018-së ka një ndryshim. E djathta ekstreme dhe e majta ekstreme marshuan së bashku.

“Më parë shihnim populizëm të krahut të djathtë, kryesisht në Evropën Lindore dhe kjo falë frikës së imigracionit dhe çështjeve të identitetit, ndërsa në jugun e Evropës, kishim më shumë populizëm të majtë, sepse ky është rajoni që është prekur më shumë nga kriza financiare, kriza e Euros e të tjera. Prandaj të dyja janë si të veçanta. Por tani shikojmë në vende si Italia dhe Franca, i kemi të dyja njëkohësisht”, thotë zoti Claeys.

Kjo lloj bashkëjetese u zyrtarizua në Itali, kur Lëvizja e krahut të majtë Pesë Yjet dhe Liga e së djathtës ekstreme, formuan një qeveri koalicioni në maj.

Kauza e tyre e përbashkët: ndalja e valës së imigrantëve në brigjet italiane dhe ndërprerja e shkurtimit të shpenzimeve. Kjo e ka vënë Romën në konflikt me Bashkimin Evropian.

Ministri i Brendshëm, Matteo Salvini, që shihet këtu me udhëheqësen e së djathtës ekstreme të Francës Marie Le Pen, është bërë fytyra e populzimit kundër BE-së.

“Armiqtë e Evropës, janë ata që janë mbyllur në bunkerin e Brukselit”, thotë ai.

Tronditur nga tërmetet politike, Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se liritë themelore janë në shënjestër.

“Jetojmë në një botë të karakterizuar nga rilindja e forcave populiste dhe retorikës shkatërruese”, shprehet Antonio Tajani, Presidenti i Parlamentit Evropian.

Në Spanjë, që dikur shihej si e imunizuar nga politika e së djathtës ekstreme, partia populiste ‘Vox’ po forcohet.

"Këto lëvizje politike nuk do të shuhen. Ato do të jenë këtu për dekada të tëra”.

Por populsitët kanë konkurrencë. Partia e Gjelbër pro-evropiane, është fuqizuar në Gjermani, duke e ulur “Alternativën për Gjermaninë” të së djathtës ekstreme në vend të katërt.

Në Hungari, protestat e rrugëve kanë shpërthyer kundër qeverisë populiste të Viktor Orbanit.

Copëzimi i politikës evropiane, mund të ketë implikime të mëdha për zgjedhjet e Parlamentit Evropian, në maj 2019.

Pasi kanë fituar terren në disa kryeqytete në gjithë Evropën, në vitin 2019 forcat populiste do të përpiqen të marrin frenat e pushtetit edhe në vetë Bashkimin Evropian.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG