Lidhje

Poroshenko: Rrezik kolosal për sulme të reja


Presidenti ukrainas Petro Poroshenko paralajmëroi se ka 9 mijë trupa ruse në rajonin e kontrolluar nga rebelët në Ukrainën lindore dhe se vendi duhet të jetë në gadishmëri për një sulm në shkallë të gjerë.

Zoti Poroshenko i bëri komentet sot në parlament, duke thënë se ekziston një rrezik “kolosal”, siç u shpreh ai, për sulme të reja në shkallë të gjerë.

Ai foli një ditë pas një beteje të ashpër në rrethinat e një zone të kontrolluar nga separatistët në Ukrainën lindore.

Secila palë fajëson tjetrën për dhunën e djeshme, që zyrtarët ukrainas thanë se filloi pranë Donetskut, kur rreth një mijë rebelë pro-rusë, të mbështetur nga artileria dhe tanket, ndërmorën një sulm para agimit në perëndim të qytetit.

Rebelët njoftuan për 15 civilë dhe luftëtarë të vrarë, ndërsa autoritetet e Kievit thanë se të paktën tre trupa u vranë dhe 30 të tjerë u plagosën në qytetin Marinka.

Kryeministri ukrainas Arseniy Yatsenyuk akuzoi Rusinë se po nxit luftime të reja duke thënë se Moska ka urdhëruar militantët të fillojnë operacionet luftarake pranë Donetskut, gati 50 kilometra nga kufiri me Rusinë.

Kremlini këmbëngul se nuk ka rol të drejtëpërdrejt në krizë dhe ka mohuar vazhdimisht se mbështet rebelët me armë dhe luftëtarë.

Para një jave një korrespondent i agjencisë Reuter, botoi të dhëna dëshmitarësh që flasin për një grumbullim të madh trupash ruse në afërsi të kufirit me Ukrainën. Sipas gazetarit, trupat dhe mjete të shumta ushtarake ishin pozicionuar në territorin rus, në një distancë vetëm 50 kilometra nga kufiri me Ukrainën.

Po ashtu ai vinte një dukje se shumë automjeteve ruse u ishin fshirë shenjat dalluese dhe po ashtu shumica e trupave nuk i kanë më shenjat dalluese në uniforma.

Njoftimi u pa si një konfirmim i asaj që ka thënë aleanca e NATO-s, se Kremlini vazhdon të ndihmojë rebelët me ushtarë dhe armë, pavarësisht marrëveshjes së paqes të arritur në muajin shkurt.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha pak ditë më parë se “Rusia vazhdon të mbështesë separatistët me pajisje, tanke, artileri, municione, sisteme ajrore dhe stërvitje”.

Marrëveshja e nënshkruar nga Rusia, Ukraina, Franca dhe Gjermania, në muajin shkurt, u kërkon të dyja palëve të tërheqin armët e rënda nga vijat e fontit. Por vëzhguesit ndërkombëtarë thonë se marrëveshja është shkelur vazhdimisht.

Mbi 6,400 persona janë vrarë që nga prilli i vitit 2014 kur separatistët rusisht-folës, në rajaonet lindore të Ukrainës, filluan kryengritjen kundër Kievit.

XS
SM
MD
LG