Lidhje

Poroshenko, me optimizëm të matur për marrëveshjen


Presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko thotë se nëse nënshkruhet të premten një marrëveshje e paqes me separatistët pro-rusë, ai do t’u japë urdhër forcave të tij qeveritare të respektojnë armëpushimin.

Zoti Poroshenko i bëri komente të mërkurën në Uells, pas takimit me udhëheqës perëndimorë, përfshirë Presidentin Barak Obama, Kryeministrin David Cameron dhe Kancelaren gjermane Angela Merkel, të cilët ndodhen në Britani për takimin e nivelit të lartë të NATO-s. Ai tha se shpreson që marrëveshja të nënshkruhet të premten në kryeqytetin Minsk të Bjellorusisë, duke i hapur rrugën fillimit gradual të një plani të paqes.

Zyrtarë nga Rusia dhe Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë kanë në plan të jenë të pranishëm në bisedimet e paqes që janë planifikuar të zhvillohen në Bjellorusi.

Separatistët pro-rusë thanë sot se edhe ata do të japin urdhër për armëpushim nëse “përfaqësuesit e Ukrainës nënshkruajnë një plan për zgjidhjen politike të konfliktit”.

Megjithë optimizimin e matur të udhëheqësit ukrainas, të enjten në mbrëmje pati njoftime për shpërthime në periferi të qytetit kufitar të Ukrainës, Mariupol.

XS
SM
MD
LG