Lidhje

Premtimet e republikanëve për zgjedhjet e nëntorit


Opozita republikane në Shtetet e Bashkuara është zotuar se nëse fiton zgjedhjet e nëntorit do të shkurtojë taksat, do të pakojë shpenzimet e qeverisë dhe do të hapë vende pune. Republikanët e bënë të njohur planin e tyre në kohën kur anketat parashikojnë fitoren e Partisë Republikane ndaj asaj Demokrate në zgjedhjet për në Kongres. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone, sjell hollësi nga Uashingtoni.

Pjesëtarët republikanë të Kongresit e quajnë planin e tyre “Zotim ndaj Amerikës” dhe e publikuan atë në një dyqan në periferi të Uashingtonit si simbol të përkushtimit të tyre për të ndihmuar bizneset e vogla të hapin vende të reja pune.

Udhëheqësi republikan në Dhomën e Përfaqësuesve, kongresmeni John Boehner nga Ohajo, thotë se partia ka dëgjuar amerikanët të cilët janë indinjuar nga Uashingtoni dhe administrata e Presidentit Barack Obama.
Ata e shohin qeverinë e Uashingtonit si një qeveri që nuk i dëgjon dhe jo kompetente në punën e saj dhe populli amerikan mendon se Uashingtoni nuk shqetësohet për të. Për të hapur vende pune, na duhet t’i japim fund pasigurisë së punëdhënësve, të ndërpresim shpenzimet pafund në Uashington dhe të reformojmë vetë Kongresin.”

Plani republikan premton shkurtimin e taksave dhe të shpenzimeve qeveritare, si dhe zbutjen e rregullave për bizneset. Republikanët thonë do të synonin të zvogëlonin shpenzimet e qeverisë federale në nivelin e vitit 2008 dhe do të provonin gjithashtu të shfuqizonin dhe të zëvendësonin ligjin për sigurimet shëndetësort që u nënshkrua nga Presidenti Barack Obama.

Republikanët thonë se kanë si përparësi të ndihmojnë bizneset e vogla që të hapin vende pune, të reformojnë Kongresin që të jetë më i përgjegjshëm ndaj popullit dhe të vazhdojnë të përpiqen për fuqizimin e mbrojtjes kombëtare.

Demokratët ndërkaq e quajtën planin përsëritje të politikave republikane nën ish-presidentin George W. Bush dhe rikthim në kohën kur republikanët kontrollonin kongresin para zgjedhjeve të vitit 2006.
Kritika të ngjashme po bën edhe Presidenti Obama ndërsa zhvillon fushatë për kandidatët demokratë në mbarë vendin, përfshirë takimet kohët e fundit në qytetin e Nju Jorkut.
“Akoma duhet zgjedhur mes shpresës dhe frikës; mes së kaluarës dhe së ardhmes. Duhet zgjedhur akoma mes kthimit prapa dhe ecjes përpara. Këto votime janë për të bërë këtë zgjedhje. Dhe kjo është zgjedhja që ju do të bëni në nëntor.”

Anketuesit dhe ekspertët politikë thonë se ka pak dyshim që në zgjedhjet e 2 nëntorit do të mbizotërojnë shqetësimet ekonomike, posaçërisht ato për shkallën e lartë të papunësisë, që tani është në nivelin 9,6 përqind.

Anketat parashohin se republikanët do t’ia dalin mbanë në nëntor dhe mund të jenë në gjendje të fitojnë 39 vende të reja që u duhen për të marrë nën kontroll Dhomën e Përfaqësuesve. Republikanëve u nevojiten 10 vende të reja për të fituar shumicën në Senat, por shumë analistë thonë se ky qëllim është politikisht më i vështirë të arrihet.

Plani që u bë i njohur nga udhëheqësit republikanë në Kongres është i ngjashëm me planin “Kontratë me Amerikën”, që në vitin 1994 i ndihmoi republikanët të fitojnë shumicën në Kongres, për herë të parë në 40 vjet. Megjithëse Dhoma e Përfaqësuesve miratoi disa pjesë të “Kontratës me Amerikën”, pjesa më e madhe e saj u bllokua në Senat gjatë mandatit të parë të Presidentit Bill Clinton.

XS
SM
MD
LG