Lidhje

Egjipti përgatitet për zgjedhjet presidenciale


Pas më shumë se tre vjet trazirash, votuesit egjiptianë pritet të zgjedhin në postin e presidentit, ish-shefin e ushtrisë, një person jashtëzakonisht popullor, Abdel-Fattah el-Sissi me shpresa që do të sjellë stabilitet dhe rritje ekonomike në vend. Disa aktivistë thonë se zgjedhjet që do të mbahen të hënën dhe të martën nuk janë reale sepse opozita thuajse nuk ka asnjë shans për të fituar; të tjerë thonë se një pjesëmarrje e fortë e kundërshtarëve të zotit Sissi do të ishte një deklaratë e fuqishme për vizionin e tyre mbi ardhmen e Egjiptit. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Heather Murdock raporton nga Kairo.

Nuk ka asnjë dyshim në kryeqytetin egjiptian mbi popullaritetin e Abdel-Fattah el-Sissit.

Kapsollat dëgjohen në një zonë dikur e populluar nga kundërshtarët e tij ndërsa makinat që mbajnë postera të zotit Sissi dhe flamuj egjiptianë vërtiten nëpër qytet. Të rinjtë kërcejnë për nder të tij.
Përkrahësit e zotit Sissi thonë se i zgjedhuri i tyre është më i përshtatshmi për t’i dhënë fund pasigurisë së vazhdueshme dhe problemeve ekonomike që kanë prekur Egjiptin që nga revolucioni i vitit 2011.

“Duam më të mirën për vendin tonë. Nuk duam asgjë të keqe.”

Por në anën tjetër të qytetit, përkrahësit e kandidatit opozitar Hamdeen Sabahi thonë se zgjedhjet e ardhshme janë më komplekse.
Mohammad Adam është përkrahës i zotit Sabahi.

“Shumë njerëz mendojnë se do të fitojë zoti Sissi, por ne po përpiqemi të mbështesim zotin Sabahi për të treguar se jemi këtu, se ekzistojmë, se kemi një zë. Ne do të votojmë për kundërshtarin e zotit Sissi.”

Zoti Adam dhe aktivistë të tjerë të opozitës nuk janë në garë për të fituar, por për të marrë vota të mjaftueshme për t’ia bërë të qartë qeverisë se shumë egjiptianë nuk duan që jeta e tyre të kontrollohet nga ushtria.

Megjithëse sondazhet tregojnë se zoti Sissi do të fitojë me 90 për qind të votave ose më shumë, aktivistët thonë se është shumë herët për ta shpallur atë fitues.
Duke valëvitur flamuj me moton “Një prej nesh,” përkrahësit e zotit Sabahi thonë se nuk duan të zgjedhin mes sigurisë dhe bukës së përditshme.
Egjiptianë të tjerë të rinj kanë në plan t’i bojkotojnë zgjedhjet. Osama Melouk mbështet Misr al-Qawia, një parti politike e cila tërheq aktivistët e rinj.

“Ne e dimë që nga fillimi ... se kemi një problem me mjedisin e zgjedhjeve. Po kontrollohet nga ushtria.”

Pjesëmarrja e votuesve ka qenë në rënie në përgjithësi në Egjipt, të paktën pjesërisht, për shkak se shumë njerëz janë të lodhur nga politika pas të paktën gjashtë zgjedhjeve në tre vjet.
Sulmet e autoriteteve ndaj Vëllazërisë Myslimane gjithashtu kanë ndikuar tek grupet aktiviste rinore. Deri tani, thotë Osama Melouk, shumë të rinj egjiptianë janë thjesht të dekurajuar, ata nuk janë të interesuar të votojnë dhe as t’i bojkotojnë zgjedhjet.
XS
SM
MD
LG