Lidhje

Presidenca e Harry Trumanit dhe politika e tij e jashtme


Presidenca e Harry Trumanit dhe politika e tij e jashtme
Presidenca e Harry Trumanit dhe politika e tij e jashtme

Lufta e Dytë Botërore përfundoi me dorëzimin e Japonisë më 19 gusht të vitit 1945. Amerikanët prisnin nga presidenti i tyre i ri, Harry Truman, që t’i udhëhiqte ata në një kohë të re paqeje. Zoti Truman ishte nënpresident deri sa Presidenti Franklin Roosevelt vdiq papritmas në muajt e fundit të luftës. Gati askush nuk priste që Presidenti Truman të ishte një udhëheqës i fuqishëm siç kishte qënë presidenti Roosevelt. Dhe fillimisht, amerikanët ishin korrekt. Truman përjetoi probleme të njëpasnjëshme gjatë muajve të parë në Shtëpinë e Bardhë. Në pjesën e dytë të serisë për administratën Truman, do t’ju njohim me politikën e saj të jashtme, e cila luajti rol të rëndësishëm në kthimin e rrjedhës së ngjarrjeve, të cilat bënë që presidenti i 33-të i Shteteve të Bashkuara të fitonte mandatin e dytë në një prej periudhave më të vështira në historinë amerikane

Pas një fillimi të vështirë dhe jo popullor të administratës së tij, Harry Trumani filloi të ndryshonte në muajt pas zgjedhjeve për në Kongres të 1946-tës. Ai filloi të fliste hapur dhe fuqishëm. Ai filloi të tregonte se i kuptonte kompetencat e presidencës. Dhe për sa i përket politikës së jashtme, ai filloi të vepronte më shumë si president. Dhe kjo ishte mëse e vërtetë në reagimin e Trumanit ndaj agresionit sovjetik në Gjermani.

Trumani donte të rindërtonte Gjermaninë si dhe vende të tjera të Evropës Perëndimore të shkatërruara nga lufta. Administrata e tij punoi nga afër me udhëheqësit e vendeve të Evropës Perëndimore për të shpëtuar ekonomitë e tyre nëpërmjet Planit Marshall.

Por sovjetikët nuk donin të shikonin rindërtimin e Gjermanisë, të paktën jo kaq shpejt. Së pari, ata e përmbytën Gjermaninë me një sasi të madhe monedhe gjermane në përpjekje për të shkatërruar vlerën e saj. Ata u larguan nga konferenca ekonomike dhe më në fund, në fillim të vitit 1948, sovjetikët bllokuan të gjitha rrugët që të çonin në Berlinin Perëndimor. Berlini Perëndimor ishte pjesë e territorit të Gjermanisë Lindore komuniste, por jo nën kontrollin e komunistëve, siç ishte Berlini Lindor.

Pas luftës, vendet aleate e kishin ndarë Gjermaninë për gjysëm. Gjermania Perëndimore kishte një qeveri demokratike. Gjermania Lindore ishte komuniste, nën kontrollin e Bashkimit Sovjetik.

Veprimet e sovjetikëve në Berlin ishin një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj Perëndimit. Trumani kishte 3 zgjedhje të vështira. Nëse nuk do të bënte asgjë, bota do ta shikonte Amerikën si të dobët dhe të paaftë për të ndalur agresionin sovjetik. Nëse do ta luftonte bllokadën me forcë, ai mund të fillonte një luftë të tretë botërore. Por ai kishte edhe një zgjedhje tjetër.

Aleatët propozuan idenë e furnizimit të Berlinit Perëndimor nga ajri me mijëra tonelata ushqime, karburant dhe furnizime të tjera, jo vetëm një herë, por çdo ditë, për sa kohë që sovjetikët vazhduan bllokadën e qytetit.

Ky ishte një operacion i vështirë. Berlini Perëndimor kishte një popullsi prej 2,5 milion banorësh. Asnjëherë nuk ishte ndërmarrë një operacion i tillë për furnizmin nga ajri të një qyteti kaq të madh. Aeroplanët duhet të niseshin çdo 3 minuta e gjysëm, ditë e natë, për të furnizuar banorët e Berlinit Perëndimor me sasi të mjaftueshme ushqimesh, ilaçesh, veshmbathjesh dhe qymyrgyri shumë të nevojshëm.

Në këtë operacion u angazhuan aeroplanë amerikanë C-47 dhe aerplanë transporti më të mëdhenj C-54, bashkë me aeroplanë britanikë Lancaster, York, dhe Hastings.

Më 26 qershor, aeroplani i parë C-47 u ul në aeroportin Tempelhof, duke shënuar fillimin e një operacioni të madh. Sipas planeve, ky operacion do të zgjaste vetëm disa javë.

Aeroplanët u ulën në qytetin e bllokuar dhe vullnetarët lokalë siguruan mbështetje në teren. Ish mekanikë të forcës ajrore gjermane, Luftwaffe, u bashkuan me amerikanët për të mirëmbajtur aeroplanët. Më shumë se 20 mijë berlinezë punuan ditë e natë për të ndërtuar një aerodrom shtesë për uljen e aeroplanëve amerikanë dhe britanikë, duke u bërë aeroporti Tegel, ende më i madhi i Berlinit.

Pilotët e këtij operacioni hidhnin nga aeroplanët e tyre ushqime të ndryshme, përfshirë edhe çokollata dhe çumçakiz për fëmijët, edhe në zonat e kontrolluara nga sovjetikët. Amerikanët në Shtetet e Bashkuara shtuan prodhimin për të përmbushur kërkesat e fëmijëve të Berlinit Perëndimor.

Nuk kaloi shumë kohë dhe për sovjetikët u bë e qartë se furnizimi i Berlinit Perëndimor kishte qënë i sukseshëm. Në maj të vitit 1949, gati një vit pas fillimit të bllokadës, aleatët i dhanë fund asaj.

Kriza në Berlin ndryshoi mënyrën se si shumë amerikanë e shikonin presidentin e tyre. Harry Truman nuk dukej më i dobët dhe i pasigurtë, përkundrazi ai po vepronte si një udhëheqës, që mund të merrte pjesë aktive në çështjet botërore.

Popullariteti i Trumanit u rrit, megjithatë shumica e amerikanëve nuk prisnin që ai të fitonte zgjedhjet e vitit 1948. Thuajse të gjithë mendonin se kandidati republikan, guvernatori i New Yorkut Thomas Dewey, do të fitonte Shtëpinë e Bardhë.

Fushata elektorale e atij viti u shoqërua me të papritura dhe lajme të kënaqshme, veçanërisht në politikën e jashtme, dhe përfundoi me rizgjedhjet e Harry Trumanit edhe për 4 vjet të tjerë në Shtëpinë e Bardhë.

XS
SM
MD
LG