Lidhje

Presidenti Nishani konsultime për emërimet në gjykata


Kreu i Shtetit shqiptar organizoi sot takime me kryetarët e grupeve parlamentare për dy vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe një tjetër në Gjykatën e Lartë

Në Shqipëri, presidenti Bujar Nishani organizoi sot një seri konsultimesh me drejtuesit e grupeve parlamentare për plotësimin e dy vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe një tjetri në Gjykatën e Lartë

Kryetari i grupit demokrat Astrit Patozi vlerësoi nismën e kreut të shtetit duke nënvizuar se e rëndësishme në përzgjedhjen e kandidatëve është integriteti moral dhe profesional i tyre. Ndërsa kreu i grupit socialist Gramoz Ruci u shpreh se sipas tij, në respekt të interpretimit të një vendimi të Gjykatës kushtetuese dhe të parlamentit shqiptar, dy mandate në Gjykatën kushtetuese përfundojnë në fund të muajit maj, e për këtë arsye sipas tij, presidenti nuk duhej të nxitonte e të dekretonte kandidatura para këtij afati. Zoti Ruci solli në kujtesë edhe faktin se prej 8 muajsh gjykata kushtetuese funksionon pa një anëtar pasi parlamenti nuk po merr në shqyrtim kandidaturën e dekretuar nga ish presidenti Bamir Topi. Në Gjykatën e lartë ndërkaq, përfundon mandati i kryetares së saj Shpresa Brecaj.

Nga ana e tij Presidenti njoftoi se ka ftuar përfaqësuesit politik që të paraqesin propozimet e tyre të shoqëruar me kurrikulumet përkatëse.

XS
SM
MD
LG