Lidhje

Kush është autori i batutave të Presidentit?


Cili është personi pas batutave të presidentit Barack Obama? Dhe çfarë shkolle duhet të mbarosh për t’u bërë ndihmësi i presidentit që shkruan fjalimet satirike? Ihar Tsikhanenka i shërbimit rus të Zërit të Amerikës, përgatiti këtë material.

David Litt, deri kohët e fundit ishte autor i fjalimeve të presidentit dhe frymëzues për “përkthyesin e zemëruar Luther" :

"Kalova katër apo pesë vjet në Shtëpinë e Bardhë duke shkruar shumë fjalime dhe kam marrë pjesë në disa darka me gazetarët ku presidenti tregon shaka." - thotë ai.

Darka me gazetarët është një ngjarje e përvitshme, ku figura të njohura të Hollivudit, gazetarë të njohur dhe...komedianë të talentuar mpleksen së bashku.

Për vite me radhë, Litt ka qënë autori i batutave të presidentit Obama në këtë aktivitet:

"Presidenti tregon batuta, por ai është president një ditë përpara batutave dhe një ditë pas tyre. Pra më duhej të tregohesha i kujdeshëm që në batuta të përfshiheshin çështje që presidenti mund t’i ngrinte në një formë apo një tjetër edhe në fjalime serioze."

Tradicionalisht, presidenti bën shaka me elitën e politikës dhe të biznesit amerikan:

"Askush nuk është më i lumtur dhe më krenar që e zgjidhi çështjen e çertifikatës sime të lindjes se sa Donaldi. Dhe kjo sepse tani ai mund të përqëndrohet në çështje që ja vlejnë, si përshembull a zbritëm në hënë apo e sajuam? Apo çfarë ndodhi me UFO-t në Roswell?"- thotë zoti Obama.

"Presidenti Obama është vërtet një njeri me humor. E ka sensin e shakasë dhe e përcjell atë mirë në fjalime."- thotë Litt.

Ai e demonstroi këtë aftësi qysh në fillim të presidencës:

"Më duhet t’ju rrëfehem. Nuk doja të vija këtu sonte. Por e dija që duhet të vija. Është ky një problem tjetër që kam trashëguar nga George W. Bush."

Me kalimin e viteve, shakatë e tij u rafinuan ashtu si edhe vetë presidenti dhe ai asnjëherë nuk hezitoi t’i përdor ato:

"Kjo ka ndodhur dy javë më parë. Këto ditë kur shihem në pasqyrë më duhet ta pranoj se nuk jam më ai socialisti i ri mysliman që isha dikur,"- thotë Presidenti.

"Një nga synimet e darkave të tilla është t’i japë rast presidentit të bëhet më popullor. T’u kujtojë njerëzve se është shakaxhi, megjithëse punën e bën me seriozitet,"- thotë Litt.

Pyetje: "Çfarë shkolle mbarove për të shkruar fjalimet e presidentit?"

"Në kolegj studjova histori. Pra nuk studiova satirë. Kisha aftësitë e komedianit kur isha në shkollë të mesme. U rrita në Nju Jork dhe shkoja në klubet amatore të komedisë. Gjëja e parë që sheh në shkruesit e suksesshëm të fjalimeve është se në përgjithësi janë shumë kuriozë dhe lexojnë shumë," - përgjigjet Litt.

Sot Litt drejton...portalin humoristik të videove Funny or Die, të krijuar nga aktorë dhe producentë të Hollivudit.

XS
SM
MD
LG