Lidhje

Presidenti Obama dhe kryeministri indian, Manmohan Singh u takuan në Nju Delhi


Presidenti Obama dhe kryeministri indian, Manmohan Singh u takuan në Nju Delhi
Presidenti Obama dhe kryeministri indian, Manmohan Singh u takuan në Nju Delhi

Shtetet e Bashkuara dhe India thanë se po bashkojnë forcat për të sjellë një vizion të përbashkët të paqes dhe begatisë në Azi dhe në gjithë botën.

Presidenti Barak Obama dhe kryeministri indian, Manmohan Singh bënë komente pasi u takuan sot në New Delhi. Që të dy përsëritën pohimet e bëra nga zoti Obama se marrëdhëniet SHBA-Indi do të ndihmojnë në përcaktimin e shekullit të 21-të, ndërkohë që presidenti Obama u tha gazetarëve se se India "është shndërruar" në një fuqi botërore.

Udhëheqësit e dy demokracive më të mëdha të botës njoftuan një sërë marrëveshjesh, që synojnë të nxisin bashkëpunimin në disa çështje kyçe, duke filluar nga lufta kundër terrorizmit dhe nxitja e zhvillimit ekonomik deri te parandalimi i ndryshimeve klimatike.

Presidenti Obama përsëriti gjithashtu një ofertë për të ndihmuar Indinë që të ulë tensionet me Pakistanin, por shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk mund të imponojnë një zgjidhje.

Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Dan Robinson, na informon nga Nju Deli se media në Indi ka komentuar gjerësisht deklaratat e zotit Obama lidhur me Pakistanin gjatë një takimi me studentët në Bombei.

Ajo që ka shkaktuar më shumë diskutime në median indiane është pyetja që i bëri Presidentit të Shteteve të Bashkuara një studente dje në Kolegjin Shën Havier të Bombeit.

"Pse është Pakistani një aleat kaq i rëndësishëm për Amerikën saqë Amerika nuk e ka cilësuar kurrë si shtet terrorist?”

Në përgjigjen e tij zoti Obama përmendi për herë të parë Pakistanin që nga mbërritja në Indi dhe kjo u bë objekt diskutimi në kanalet televizive të lajmeve në Indi. Kritika kryesore ishte se zoti Obama duhet ta kishte përmendur lidhjen e Pakistanit me sulmin terrorist të vitit 2008 në Bombei që u krye nga ekstremistë të stërvitur në Pakistan, kur foli për të nderuar viktimat në Taxh Mahall, një prej objektivave të sulmeve ekstremiste.

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë u përgjegjën duke thënë se presidenti do të kishte raste të tjera për të folur rreth Pakistanit, siç ndodhi në Bombei. Përgjigja e presidentit nuk solli ndonjë gjë të re. Pakistani, tha ai, është një vend me rëndësi strategjike që tani i kupton kërcënimet që i vijnë nga ekstremistët brenda kufijve të tij.

"Ne kemi menduar të jemi të ndershëm dhe të hapur me Pakistanin duke i thënë se ne jemi miku yt, ky është një problem në të cilin ne do të të ndihmojmë, por problemi duhet adresuar”.

Presidenti Obama përsëriti gjithashtu qëndrimin e administratës së tij se Shtetet e Bashkuara nuk mund të ndërmjetësojnë bisedimet mes Indisë dhe Pakistanit.

Preokupimet e Indisë rreth fqinjit të saj bërthamore, përfshinë edhe shqetësimet rreth një ndihme të re ushtarake prej dy miliardë dollarësh të njoftuar javët e fundi, do të ngrihen sot në takimin bilateral të Presidentit Obama me Kryeministrin e Indisë Singh.

Në fjalimin e tij në një sesion të përbashkët të Parlamentit të Indisë, pritet që Presidenti Obama të theksojë pikëpamjen e Shteteve të Bashkuara për Indinë si një fuqi e konsoliduar dhe si partnere e fortë strategjike dhe partnere në luftën kundër terrorizmit.

Presidenti do të theksojë edhe qëllimin kryesor të vizitës së tij për zgjerimin e marrëdhënieve të biznesit që zoti Obama ka thënë se do të ndihmojnë në mbështetjen dhe krijimin e vendeve të reja të punës në Shtetet e Bashkuara. Në mbrëmje, zoti Obama do të marrë pjesë në një darkë shtetërore në përfundim të vizitës më të gjatë të tij në një vend të huaj si president.

XS
SM
MD
LG