Lidhje

Presidenti Obama flet për planet e tij për të pakësuar borxhin në rritje


Presidenti Obama flet për planet e tij për të pakësuar borxhin në rritje
Presidenti Obama flet për planet e tij për të pakësuar borxhin në rritje

Ndërsa vëmendja e botës përqëndrohet në faktin nëse ekonomia më e madhe e globit duhet të verë nën kontroll financat, presidenti Obama po përçon mesazhin e ndarjes së përgjegjshmërisë.

Një nga këto përgjegjësi është zgjidhja e mosmarrëveshjeve ideologjike mes palëve dhe defiçiti në rritje.

"Demokratët dhe republikanët janë dakort që duhet të pakësohet defiçiti. Në fakt, ka një marrëveshje se duhet të shkurtohen shpenzimet me gati 4 trilion dollarë gjatë një periudhe afatmesme. Dhe kjo është shenjë e mirë." - tha presidenti Obama

Me borxhin kombëtar tani 14 trilion dollarë dhe në rritje, shumë njerëz nuk janë optimistë.

Të hënën agjencia e nivelit të kreditimit Standard and Poor uli parashikimin ekonomik për Shtetet e Bashkuara nga të qëndrueshëm në negativ, duke sjell në rënie të tregut të aksioneve në Amerikë dhe Evropë. David Beers, me kompaninë S&P shpjegon:

"Arsyeja për parashikimin negativ është se pas asaj që mendojmë ne se është rritje e vazhdueshme e borxhit të qeverisë, qëndron fakti se është e pasigurtë nëse Kongresi apo administrata mund të arrijnë një marrëveshje gjatë dy muajve të ardhshëm, apo deri në zgjedhjet e vitit të ardhshëm."

Republikanët kërkojnë të shkurtojnë shpenzimet me 6 trilionë dollarë gjatë dekadës së ardhshme, duke shkurtuar shpenzimet qeveritare në kujdesin shëndetësor dhe programe të tjera sociale, ndërsa zoti Obama propozoi një sërë shkurtimesh të shpenzimeve dhe rritje të taksave për të pasurit.

Jay Carney thotë se të dyja palët duhet të bien dakort për çështje me rëndësi kombëtare.

Ne mendojmë se procesi politik do të tejkalojë parashikimet e S&P. Presidenti është i vendosur, ashtu siç e ka bërë të qartë në fjalimet e tij për të gjetur një zgjidhje dypartiake për të arritur marrëveshje në çështjen e rëndësishme të reformës fiskale.- thotë ai

Analistët thonë se dështimi për të vepruar mund të ketë pasoja të mëdha. Mohamed El-Erian drejton firmën e investimeve PIMCO.Ai thotë:

Në se Shtetet e Bashkuara do ta humbisnin nivelin e tanishëm, kostot e huave do të rriteshin për të gjithë. Dollari do të dobësohet dhe gadishmëria e pjesës tjetër të botës për të mbajtur asetet tona do të bjerë. Pra, të gjithë do të vuanin pasojat e uljes së nivelit të besueshmërisë së kreditimit.

Por Oliver Roth në Bankën gjermane Close Seydler beson se kërcënimi i uljes së nivelit të kreditimit mund të mjaftojë që ligjvënësit të punojnë së bashku.

Nuk besoj se Amerika tani është në prag të rënies, por është një paralajmërim, një kartë e verdhë nga agjencia S&P dhe atyre u duhet të rivendosin nëse iu pëlqen apo jo për të ndryshuar politikën e tyre përsa i përket situatës së borxhit.- thotë zoti Roth

Qeveria amerikane parashikon të arrijë defiçitin prej 1,5 trilion dollarësh këtë vit, duke kërkuar që ligjvënësit të rrisin përsëri tavanin e borxhit kombëtar. Standard and Poor thotë se pa një plan, Shtetet e Bashkuara mund ta humbasin nivelin e tanishëm në dy vjet.

XS
SM
MD
LG