Lidhje

Presidenti i Iranit bën betimin


Presidenti i ri i Iranit, kleriku i moderuar musliman Hassan Rouhani, bëri betimin para parlamentit sot, duke bërë thirrje për dialog me perëndimin dhe pakësimin e "antagonizmit dhe agresionit."

Një ditë pasi ai u konfirmua zyrtarisht në post nga Ayatollah Ali Khamenei, udhëheqësi suprem i Iranit, zoti Rouhani tha se vendet rivale "duhet të flasin me Iranin përmes gjuhës së respektit dhe jo gjuhës së sanksioneve."

Ai premtoi të luftojë korrupsionin dhe të gjitha format e diskriminimit duke thënë se populli ka kërkuar reforma, ndryshim dhe prosperitet përmes votës në zgjedhje.

Kleriku 64 vjeçar fitoi me lehtësi ndaj rivalëve konservatorë në zgjedhjet e qershorit. Ai ka premtuar të ndjek politika më pak konfliktuale me jashtë për të lehtësuar sanksionet ndërkombëtare mbi ekonominë e Iranit për shkak të politikave të tij bërthamore.

Në Uashington, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney u përgjigj brenda pak orëve duke thënë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me qeverinë e zotit Rouhani në se ajo është serioze për bashkëpunim.
XS
SM
MD
LG