Presidenti kroat Ivo Josipoviç tha se do të vizitojë këtë javë Gjermaninë, megjithë dërgimin e një granade dore dhe një letre me kërcënime në ambasadën kroate në Berlin.
Zoti Josipoviç tha sot se kërcënimi u bë nga ekstremistët politikë, të cilët nuk duan t’ia dinë për demokracinë, përparimin e Kroacisë dhe përpjekjet e vendit për t’u anëtarësuar në BE.
Letra dhe granada u dërguan dje në ambasadën kroate në Berlin. Media gjermane njoftoi se letra e kërcënonte presidentin kroat për përpjekjet drejt përmirësimit të lidhjeve me Serbinë.
Të dy vendet ishin në luftë në vitet ’90, por që nga ajo kohë ende janë në proces për t’i përmirësuar marrëdhëniet diplomatike.
Sipas njoftimeve, letra kërkonte hakmarrje për një polic kroat, i cili thuhej se ishte viktima e parë në luftën serbo-kroate. Presidenti kroat ka në plan të fillojë nesër një vizitë tri-ditëshe në Gjermani.