Lidhje

Presidenti Obama në Malajzi


Presidenti Barack Obama është presidenti i parë amerikan që viziton Malajzinë në gati gjysmë shekulli. Zoti Obama mbërriti sot në Kuala Lumpur, ku mori pjesë në një darkë shtetërore të organizuar në nder të tij.

Mbreti i Malajzisë Abdul Halim tha se kombi i tij ishte mirënjohës për "mbështetjen e palëkundur dhe bashkëpunimin" e Shteteve të Bashkuara në kërkimet për avionin e zhdukur të Malaysia Airlines.

Presidenti pritet të përpiqet të lehtësojë shqetësimet e kryeministrit Najib Razak mbi Partneritetin Trans-Paqësor, një marrëveshje e tregtisë së lirë mes 12 vendeve, e mbështetur nga zoti Obama. Malajzia është një partner i afërt tregtar i Kinës dhe ka kundërshtuar disa pjesë të marrëveshjes.

Kjo është ndalesa e tretë e turneut tetë-ditor të Presidentit në katër vende aziatike.

Dje, në Korenë e Jugut, zoti Obama u tha trupave amerikane të vendosura në Seul se Shtetet e Bashkuara "nuk do të hezitojnë të përdorin ushtrinë për të mbrojtur aleatët dhe mënyrën e vet të jetesës''. Komenti i Presidentit vjen mes kërcënimeve të Koresë së Veriut për të kryer një provë bërthamore.

"Dua të jem i qartë se angazhimi që Shtetet e Bashkuara kanë marrë për sigurinë e Republikës së Koresë bëhet edhe më i fortë përballë kërcënimeve për agresion. Ne nuk do të heqim dorë nga aleanca jonë prej lëvizjeve të Koresë Veriut të cilat kërkojnë të tërheqin vëmendje. Në këtë mënyrë alenca jonë fiton më tepër mbështetje nga pjesa tjetër e botës. Programi i armëve bërthamore i Koresë së Veriut është një rrugë që të çon vetëm drejt më tepër izolimi dhe nuk është një shenjë force," tha Presidenti Obama.

Udhëheqësi amerikan shprehu gjithashtu ngushëllime për familjet e qindra fëmijëve të humbur në aksidentin e tragetit të mbytur javën e kaluar.

Para se Zoti Obama të përfundonte të premten vizitën dy-ditore në Japoni, këto dy vende publikuan një deklaratë të përbashkët për sigurinë dhe tregtinë.

Ndalesa e fundit e zotit Obama në turin e tij në katër vende aziatike do të jenë Filipinet.
XS
SM
MD
LG