Lidhje

Ndryshime në ekipin e sigurisë kombëtare të administratës Obama


Ndryshime në ekipin e sigurisë kombëtare të administratës Obama
Ndryshime në ekipin e sigurisë kombëtare të administratës Obama

Presidenti Barak Obama njoftoi dje ndryshime në ekipin e tij të sigurisë kombëtare, duke konfirmuar njoftimet e mëparshme të medias për kalimin e drejtorit të CIA-s Leon Paneta në postin e sekretarit të mbrojtjes dhe gjeneralin e ushtrisë David Petraeus në postin e drejtorit të CIA-s. Presidenti emëroi gjithashtu zëvendës komandantin e Komandës Qendrore amerikane, gjeneralin John Allen për të zëvendësuar gjeneralin Petraeus në Afganistan. Materiali në vazhdim spjegon se çfarë mund të nënkuptojnë këto ndryshime për politikat amerikane të mbrojtjes dhe të zbulimit.

Është një ndryshim madhor në rangjet e sigurisë kombëtare. Njeriu që solli një strategji të re kundër terrorizmit në luftën në Afganistan, është përzgjedhur nga presidenti për të drejtuar agjencinë kombëtare të spiunazhit.

Nëse konfirmohet, gjeneral Petraeus do të zëvendësojë njeriun që solli bashkim brenda në CIA dhe forcimin e kontakteve me Kongresin, Leon Paneta. Dhe nëse Paneta konfirmohet, ai do të zëvendësojë Sekretarin e Mbrojtjes, Robert Gates që del në pension.

"Si fëmijë emigrantësh, u rrita me besimin se nuk mund të jemi të lirë pa qënë të sigurtë."

Presidenti Obama po ashtu emëroi diplomatin veteran Ryan Crocker si ambasador në Afganistan. Kjo nënkupton se thuajse e gjithë udhëheqja amerikane në ushtri po ndryshon në një kohë kur mbështetja amerikane dhe e aleatëve për luftë po bie. Anthony Cordesman është me Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

"Cilatdo qofshin anët e dobëta dhe të forta, ne jemi të përkushtuar. Problemi real me të cilin do të përballen ata është, a mund të rikrijojmë marrëdhënie me Karzain dhe qeverinë afgane, duke ditur se nuk ka mundësi të tjera."

Dokumentet e klasifikuara të publikuara tashmë tregojnë se ambasadori aktual në Afganistan Karl Eikenberry është krtitik ndaj qeverisë së presidentit Hamid Karzai. Analisti Cordesman thotë se emërimi i ri është zgjedhje e mirë.

"Është një figurë e njohur nga Departamenti i Shtetit, e besuar nga Departamenti i Mbrojtjes, por gjithashtu e parë me respekt nga qeveria afgane."

Shumë analistë të zbulimit thonë se Leon Paneta mori drejtimin e CIA-s në një kohë kritike dhe fitoi besimin e punonjësve. Ish drejtori i CIA-s John McLaughlin.

"Ne nuk jemi në një periudhë si pas rënies së Murit të Berlinit, kur patëm një shkurtim force prej 23 përqindësh. Nuk jemi në një periudhë të një skandali të madha apo debati sikurse kemi qënë dikur në të kaluarën."

Zoti Panetta ka një eksperiencë të gjerë në Washington. Ai i kupton shkurtimet buxhetore dhe si funksionojnë politikat në Kongres. I tillë është edhe gjenerali Petraeus. Megjithë tingëllimin e pazakontë që një shef i spiunazhit të drejtojë ushtrinë dhe një gjeneral i lartë të drejtojë agjencinë e spiunazhit, ekspertët thonë se kjo është mëse normale.

"CIA në këtë dekadë, si asnjëherë tjetër në histori ka punuar më nga afër me ushtrinë amerikane, duke filluar nga dita e parë në Afganistan dhe duke kaluar tek problemet në Irak dhe situata aktuale në Afganistan ku oficerët e CIA-s punojnë përkrah ushtarakëve amerikan."

Një reduktim i trupave amerikane në Afganistan është caktuar të bëhet në korrik. Gjenerali Petraeus ende do të mbikëqyr këtë ndryshim, meqënëse largimi i tij nga Afganistani nuk do të bëhet deri në shtator.

XS
SM
MD
LG