Lidhje

Presidenti Trump premton masa për të luftuar drogën


Presidenti Donald Trump tha të martën se Shtetet e Bashkuara duhet të godasin epideminë e drogave që vret më tepër se 100 amerikanë në ditë. Duke folur nga klubi i tij i golfit në Nju Xhersi, presidenti Trump tha se përdorimin i drogës në vend është katërfishuar në dy dekadat e fundit, ndërsa përpjekjet për çrrënjosjen e tyre janë zbehur. Ai premtoi se do të merren masa për të luftuar këtë epidemi, përfshirë masa kundër krimeve që lidhen me drogën, si shtimi i kontrolleve në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara, nga ku hyjnë shumica e drogave, trajtimin mjekësor dhe parandalimin e drogimit.

I rrethuar nga gruaja e tij Melania dhe nga Sekretari i Shëndetësisë Tom Price, zoti Trump u tha gazetarëve se epidemia e drogës përbën kërcënim për çdo segment të popullsisë së Shteteve të Bashkuara:

"Mbidoza e drogës është tani shkaku kryesor i vdekjeve aksidentale në Shtetet e Bashkuara dhe mbizoda me droga me bazë morfinën thuajse është katërfishuar që nga viti 1999. Ky problem ka marrë përmasa të papara".

Zoti Trump fajësoi për krizën e drogës administratën e mërpashme, duke thënë se ndjekjet penale për krime që lidhen me drogën u pakësuan me 23 për qind mes viteve 2011 dhe 2016, ndërsa kohëzgjatja mesatare për personat e dënuar për posedim droge është pakësuar. Ai premtoi se do ta ndryshojë këtë prirje:

"Do të tregohemi tepër të ashpër në kufirin tonë jugor, nga ku hyn pjesa më e madhe e drogës. Ne flasim për Kinën, prej nga ku hyjnë disa forma të drogave të prodhuara nga njerëzit, diçka shumë e keqe. Jemi duke biseduar me disa vende dhe ata po bashkëpunojnë me ne për këtë çështje,”- tha Presidenti.

Një komision i krijuar për të studjuar këtë problem i bëri thirrje Presidentit javën e kaluar që të deklarojë gjendjen e emergjencës për trajtimin e abuzimit me drogat.

Sekretari Price tha se në vitin 2015, 52,000 amerikanë vdiqën nga mbidoza dhe se këto shifra janë duke u rritur. Ai tha se agjencia e tij do të përpiqet të sigurohet për trajtimin dhe rehabilitimin e të gjithë personave që kanë krijuar varësi tek droga, si dhe për kërkime shkencore për trajtimin e dhimbjeve pa medikamente me përmbajtje narkotike.

"Një nga gjërat që kemi bërë në përpjekje për t’i kushtuar vëmendje kësaj çështjeje janë vizitat në shtete të ndryshme të vendit, bisedat me komunitetet që vuajnë nga epidemi e drogës, si dhe për evidentimin e praktikave më të mira për këto shtete, çfarë formash kanë patur sukses dhe cilat jo, bisedat me familjet e shkatërruara nga droga, me njerëz që e kanë përjetuar dhe më pas kanë dalë nga kjo krizë, për të mësuar eksperiencën e tyre.”- tha zoti Price.

Sekretari Price tha se Institutet Kombëtare të Shëndetësisë po punojnë për zhvillimin e një vaksine për njerëzit e dhënë pas drogës dhe për zbulimin e ilaçeve për dhimbjet që nuk të bëjnë të varur.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG