Lidhje

Presidenti Trump në kundërsulm, pas intervistës së zotit Comey


Ndërsa filloi të shitet sot në libraritë amerikane libri i ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, Shtëpia e Bardhë vazhdoi ofensivën, vetëm një ditë pasi zoti Comey e përshkroi Presidentin si “moralisht të papërshtatshëm” për postin, siç u shpreh ai gjatë një interviste me kanalin ABC News. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone, administrata është hedhur në kundërsulm ndaj zotit Comey, përmes Twitter-it dhe përfaqësuesve të Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti Trump ishte dje në Florida ku vuri në dukje shkurtimin që u bëri taksave, si dhe duke paralajmëruar se demokratët do të mundohen t’i zhbëjnë arritjet.

“Duan t’jua rrisin prapë taksat, por ne nuk do ta lejojmë këtë, pasi vendi dhe bizneset po rimëkëmben mirë. Gjithçka po ecën shkëlqyeshëm”, deklaroi Presidenti Trump.

Presidenti vazhdoi ofensivën në Twitter kundër ish-drejtorit të FBI-së që ai e shkarkoi vitin e kaluar.

Zoti Comey i tha kanalit ABC se Presidenti mund të ketë penguar drejtësinë kur i kërkoi të favorizonte ish-këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare, Michael Flynn.

“Po më kërkonte të pushonim një hetim penal të këshilltarit të tij të sigurisë kombëtare... Unë e mora si një udhëzim. Ai më tha: shpresoj se do ta lësh këtë çështje të kalojë”, tha zoti Comey.

Zoti Comey i tha kanalit ABC se Presidenti Trump nuk është i përshtatshëm për postin. Ai e përsëriti këtë disa herë gjatë intervistës një-orëshe me “USA Today”.

“Nuk mendoj se është mendërisht i papërshtatshëm... Duket si një person me inteligjencë mbi mesataren. Dmth ndjek dhe analizon bisedat, etj. Nuk e kam për këtë aspekt. Mendoj se ai është moralisht i papërshtatshëm për të qenë president”, tha zoti Comey.

Ndër personat që po mbrojnë Presidentin dhe po sulmojnë kredibilitetin e zotit Comey është këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Kellyanne Conway.

“Ai po jep një version të ndryshuar të historisë. Presidenti as nuk arriti ta njohë si person”, tha zonja Conway.

Kundërsulmi i Shtëpisë së Bardhë ndaj zotit Comey ka ngjallur shqetësime mes demokratëve dhe disa republikanëve se Presidenti mund të jetë pranë shkarkimit të prokurorit të posaçëm Robert Mueller, që drejton hetimet për Rusinë.

Disa ligjvënës duan që Kongresi ta mbrojë prokurorin Mueller.

“Nëse Presidenti do të ndërmerrte ndonjë veprim për të ndërhyrë apo dëmtuar hetimin që po zhvillon prokurori i posaçëm, do të dukej si dikush që e di se është fajtor dhe se nuk mund të përballet me një hetim të ndershëm”, tha ligjvënësi demokrat Jerrold Nadler.

Analistët thonë se ndëmarrja e ndonjë veprimi kundër prokurorit Mueller mund të shkaktojë një furtunë politike.

“Ka sigurisht argumente ligjore që Presidenti mund ta bëjë këtë gjë. Por, mendoj se ai gjendet në një situatë kur edhe anëtarët e partisë së tij, shumica e ligjvënësve, do ta këshillonin të mos ndërmarrë ndonjë hap. Nëse do ta bënte, mendoj se do të shkaktohej një krizë”, thotë analisti John Fortier, i Qendrës për Politikat Dypartiake.

Anketimet e fundit tregojnë se një shumicë e konsiderueshme e amerikanëve dëshirojnë që prokurori Mueller ta përmbushë hetimin e tij për bashkëpunimin e anëtarëve të ekipit elektoral Trump me Rusinë, për të ndikuar tek zgjedhjet e vitit 2016.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG