Lidhje

Presidenti Trump njeh zyrtarisht Lartësitë Golan si territor izraelit


Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, i cili po e shkurton vizitën e tij në Uashington në përgjigje të një sulmi me raketa nga Rripi i Gazës, mori një dhuratë të rëndësishme para-zgjedhore nga Presidenti Donald Trump, pak para se të kthehej në Izrael të hënën.

Në prani të zotit Netanyahu, Presidenti Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që njeh sovranitetin izraelit mbi Lartësitë Golan.

"Kjo kishte kohë që përgatitej. Duhej të kishte ndodhur shumë dekada më parë," tha presidenti i SHBA.

Zoti Netanjahu tha se nënshkrimi nga ana e Presidentit Trump e kthen një fitore ushtarake të mëse gjysmë shekulli më parë në një fitore diplomatike.

"Ne do ta mbajmë këtë lartësi dhe nuk do ta braktisim kurrë", tha udhëheqësi izraelit.

Deklarata amerikane i jep një mbështetje zotit Netanjahu, i cili përballet me një sfidë zgjedhore më të fortë se ajo që pritej, pasi muajin e kaluar policia rekomandoi që ndaj kryeministrit izraelit të ngriheshin akuza për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit.

Urdhri ekzekutiv i Presidentit Trump për Lartësitë Golan "është qartazi një përpjekje për të garantuar që Netanjahu do të zgjidhet me çdo kusht dhe që pa Netanjahun, aleancat SHBA-Izrael nuk mund të jenë të njëjta. Nuk do të habitesha nëse kjo e ndihmon të fitojë zgjedhjet, megjithë akuzat kundër tij”, thotë Zena Agha, eksperte për politikën amerikane në institutin palestinez Al-Shabaka.

Siria e quajti deklaratën e zotit Trump mbi Lartësitë Golan një sulm ndaj sovranitetit dhe integritetit të saj territorial.

Izraeli ia mori këtë territor Sirisë, gjatë Luftës Gjashtë Ditore më 1967 dhe e aneksoi në vitin 1981.

Pozicioni i Presidentit Trump ndryshon nag politika e vjetër e Uashingtonit dhe e komunitetit ndërkombëtar, i cili i shikon Lartësitë Golan si të pushtuara nga Izraeli dhe jo si një territor mbi të cilin Izraeli gëzon sovranitet.

Zoti Netanjahu kishte planifikuar të qëndronte për darkë në Shtëpinë e Bardhë të martën dhe të mbante një fjalim para Komitetit Amerikano-Izraelit për Marrëdhëniet me Publikun (AIPAC), një grup i madh lobues amerikan për shtetin hebre. Por darka dhe fjalimi u anuluan, që zoti Netanjahu të mund të kthehej, ndërsa forca mbrojtëse e Izraelit i përgjigjet sulmit me raketa në verilindje të Tel Avivit.

"Izraeli nuk do ta tolerojë këtë. Unë nuk do ta toleroj," tha ai në prani të Presidentit Trump në Dhomën Diplomatike të Shtëpisë së Bardhë. "Izraeli po i përgjigjet me forcë këtij agresioni mizor".

Raketa, për të cilën Izraeli fajëson Hamasin, goditi një shtëpi të një familjeje britaniko-izraelite, duke plagosur shtatë persona, përfshirë fëmijë.

Zoti Netanjahu është prapa në sondazhet politike për zgjedhjet e prillit. Rivali i tij kryesor, ish shefi ushtarak Benny Gantz, ishte planifikuar të fliste në takimin vjetor të organizatës AIPAC të hënën.

Zoti Netanjahu ka një marrëdhënie të ngushtë me zotin Trump, në dallim nga ajo me Presidentin e mëparshëm, Barack Obama, i cili mbante një qëndrim më të paanshëm në marrëdhëniet e Lindjes së Mesme.

Zoti Trump e ka vënë dhëndrrin e tij Jared Kushner përgjegjës për hartimin e një marrëveshjeje të re paqeje në Lindjen e Mesme dhe është treguar mjaft i anshëm në favor të izraelitëve dhe, në veçanti, të zotit Netanjahu.

Kjo politikë e presidentit Trump pëlqehet nga një pjesë e rëndësishme e bazës së tij politike - bashkësia e krishterë evangjeliste e SHBA, e cila është mbështetëse e Izraelit dhe e politikave të zotit Netanjahu.

Disa analistë thonë se administrata Trump nuk e pranon strategjinë transformuese për Lindjen e Mesme të ndjekur nga presidentët e mëparshëm.

Planet gjithëpërfshirëse të presidentëve George W. Bush dhe Barak Obama "në fakt nuk funksionuan kur u ndeshën me realitetin”, thotë Jim Phillips, bashkëpunëtor i lartë për çështjet e Lindjes së Mesme në Fondacionin Heritage.

"Kjo administratë është shumë më pak ambicioze, shumë më pak e fokusuar në përpjekjen për të transformuar Lindjen e Mesme dhe më e fokusuar tek trajtimi i rajonit ashtu siç është. Dhe unë mendoj se me të drejtë ajo u ka dhënë marrëdhënieve me aleatët një përparësi shumë më të lartë sesa përpjekjeve për të angazhuar kundërshtarë të tillë si Irani apo regjimi i Asadit (në Siri), tha zoti Phillips për Zërin e Amerikës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG