Lidhje

Presidenti Trump thellon grindjen me bashkëshortin e ndihmëses


Presidenti i SHBA Donald Trump shkallëzoi të mërkurën grindjen e tij me bashkëshortin e një prej ndihmëseve të tij kryesore, Kellyanne Conway, duke e quajtur të shoqin e saj George Conway "një dështak i madh dhe bashkëshort prej ferri!"

Presidenti e sulmoi zotin George Conway për të dytën ditë me radhë, pas komenteve të avokatit republikan që është edhe kritik i presidentit, i cili thotë se Presidenti Trump po shfaqet gjithnjë e më i dobët mendërisht.

Brenda 20 minutash, zoti Conway u përgjigj me një koment therës në Twitter, duke iu drejtuar presidentit me fjalët: "Ju dukeni i vendosur për të provuar argumentin tim. Aq më mirë për ju!" duke shtuar "#NarcissisticPersonalityDisorder. (Çrregullimi narcisistik i personalitetit)."

Në një tjetër koment në Twitter, zoti Conway shkruante: "Ju. Jeni. I çmendur”.

Zoti Conway, i cili dikur ka përfaqësuar zotin Trump në transaksione ligjore, tha të martën se një vit më parë ai vendosi të mos e pranonte pozitën që i kishte ofruar presidenti, si kreu i sektorit civil në Departamentin e Drejtësisë, pasi Presidenti Trump sulmoi zyrtarët e lartë të agjencisë dhe shkarkoi zotin James Comey, në atë kohë drejtor i Byrosë Federale të Hetimeve.

Zoti Conway është bërë një kritik i shpeshtë i presidentit.

Të dielën, kur Presidenti Trump shfreu zemërimin me një breshëri komentesh në Twitter, zoti Conway citoi Manualin diagnostik të Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë duke pretenduar se presidenti mishëron "një sens madhështie dhe rëndësie për vetveten", është "i preokupuar me fantazitë e suksesit, pushtetit dhe shkëlqimit të pakufizuar" dhe shfaq shenja të "nervozizmit dhe agresivitetit".

"Gjendja e tij po keqësohet", shkruante zoti Conway.

Bashkëshortja e tij, e cila shfaqet shpesh në programet televizive të lajmeve duke mbrojtur Presidentin Trump, tashmë është mësuar me kritikat dhe provokimet e të shoqit ndaj presidentit.

Ajo hodhi poshtë vlerësimin e të shoqit për stabilititetin mendor të Presidentit Trump.

"Jo, nuk ndaj shqetësime të tilla," tha ajo të hënën.

George Conway, 55 vjeç dhe Kellyanne Conway, 52, janë të martuar që nga vitin 2001 dhe kanë katër fëmijë.

Zoti Conway i tha një intervistuesi vitin e kaluar se ai e di që gruaja e tij nuk i pëlqen komentet e tij therëse ndaj shefit të saj, presidentit.

"Por unë e kam thënë: nuk më pëlqen kjo administratë, kështu që jemi barabar", saktësoi ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG